Transmetuar më 31-10-2019, 18:47

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, konfirmoi sot se ndaj kampionëve të Botës, Shqipëria do të luajë në stadiumin e ri "Arena Kombëtare", që pritet të inaugurohet më 17 Nëntor.

Duka tha se detyrat e UEFA-s janë marrë në konsideratë dhe lidhur me organizimin gjithçka është gati, ndërsa konfirmoi se përveç inaugurimit të stadiumit të ri, pas ndeshjes me Francën do të diskutohet rinovimi i kontratës me trajnerin italian.

Edy Reja, sakaq, para ndeshjeve të mbetura mori një lajm pozitiv.

Kapiteni i Kombëtares shqiptare Elseid Hysaj, sipas të gjitha gjasave do të jetë i gatshëm për dy takimet e radhës së kombëtares kuqezi ndaj Andorras në "Elbasan Arena" dhe ndaj Francës në stadiumin që pritet të inaugurohet "Arena Kombëtare".

Hysaj po qëndron jashtë fushave të futbollit prej fillimit të muajit tetor, për shkak të një dëmtimi që pësoi në shpinë në ndeshjen e Seria A ndaj Torinos.

Ai mungoi në ndeshjet e fundit kualifkuese të Kombëtares, ndaj Turqisë dhe Moldavisë.

Mbrojtësi është rikthyer në stërvitje me Napolin këtë të enjte dhe shumë shpejt do të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë.

Një lajm ky pozitiv për trajnerin Edy Reja dhe kampin kuqezi, para dy ndeshjeve të mbetura kualfikuese, Euro 2020, ndaj Andorrës më 14 Nëntor dhe Francës më 17 Nëntor. /NOA.al