Transmetuar më 31-10-2019, 15:12

Në finalen e Europianit  të vitit 1988, pas një krosi nga mesfusha, topi pa prekur në tokë, ai edhe pse në një pozicion të vështirë, përmes një diagonaleje të projektuar dhe llogaritur si në "video-games", goditi fluturimthi dhe askush nuk e besoi se shënoi, aq sa trajneri Rinus Mishels u ngrit në këmbë dhe vuri duart në kokë. Holanda pas Johan Cruyff, kishte nxjerrë një tjetër ikonë, Marco van Basten.

"Një makinë golash që u prish pikërisht kur po bëhej sulmuesi më i miri i të gjitha kohërave."

Megjithatë, për mua ishte gjithsesi më i miri, por nuk arriti të ishte numri 1. Mëkat"…

Legjenda Diego Armando Maradona do ta përkufizonte kështu.

Në "San Siro" ende nuk janë tharë lotët e asaj nate gushti, kur përpara publikut kuqezi, ecte në fushë dhe përshëndeste të gjithë me dorën lart.

Arrigo Sacchi thotë se kur drejtoi Milan kishte ekipin më të mirë të gjitha kohërave dhe ishte i bindur se po ashtu pati edhe sulmuesin më të mirë.

Silvio Berlusconi thonë se asnjëherë nuk u kënaq më me ekipin e tij, për 20 vjet me radhë, pas asaj epoke kur luante Marco van Basten me shokë, madje as shumë nga tifozët kuqezi.

Vetëm 30 vjeç, prej tre vitesh në luftë me dëmtimet e shumta, kaviljet e kishin tradhtuar dhe u detyrua të varte këpucët në gozhdë, një ndër sulmuesit më të mirë që ishte parë ndonjëherë në fushat e blera. Marco van Basten shënonte lehtësisht me të majtën, të djathtën, me kokë, rrofeshatë, përmes driblimit, goditës i fortë nga jashtë zone, tmerr i çdo mbrojtësi dhe portieri.

E për ta ndalur, mbrojtjeve kundërshtare ndoshta iu mbetej si zgjidhje që ta dëmtonin.

Pesë ndërhyrje kirurgjikale dhe kalvar i gjatë që përsëritej. Mjekët u përpoqën të kuptonin ku qëndronte "thembra e Akilit", por ishte e pamundur…

30 gusht 1995: xhaketë e hollë, xhinse dhe këmishë! U përpoq të mos qante, të mos emocionohej. Ai, idhulli i shumë tifozëve, jo vetëm i atyre të Milan dhe të Holandës, të cilëve i dhuroi kohë të artë, mbetet sot ende një kujtim i bukur anembanë planetit.

I aftë të fitonte 3 Topa të Artë (1988, 1989 dhe 1992), por edhe të shënonte rreth 300 gola në karrierë!

E thërrisnin "Mjelma e Utrechtit": sepse lindi në këtë qytet të Holandës, më 31 Tetor 1964. I rafinuar, elegant dhe me klas, tregoi sidomos gjenialitet prej një lojtari të lindur. Dy klube në karrierë: Ajax dhe Milan!

Plot 23 trofe në karrierë (mes Ajaxit dhe Milanit), ku përfshihen 3 Kupa Kampionësh, dy radhazi!

Sot mbush 55 vjeç Marco van Basten, i thërritur "Marco"! Klubet ku ai luajti, kolegë, tifozë por edhe rivalë i kushtuan nga një urim special "tulipanit", që .

Një nga rivalët kryesorë të tij në fushë ishte Roberto Baggio,  i cili postoi sot një foto me Marco van Basten, duke e uruar, "Gëzuar ditëlindjen i madhi Marco van Basten."

Kur kampionë të tjerë, me të cilët ke rivalizuar në fushë, nuk të harrojnë dhe të japin vlerësime maksimale, kuptohet se çfarë përmasash ka pasur ky futbollist./NOA.al