Transmetuar më 29-10-2019, 19:59

Njëri prej djemve të familjes Idrizi raportohet të jetë rrahur nga policia kufitare.

Pas denoncimit, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet.

Ngjarja ndodhi të martën e 22 tetorit, kur familja Idrizi po vinte nga Zvicra në Kosovë, por rruga për në vendlindje nuk ka qenë edhe aq e lehtë.

Kështu të paktën ka deklaruar kryefamiljari Rexhep Idrizi. Ai tha se policët kufitarë në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” e kanë rrahur thuajse për vdekje djalin e tij, i cili vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pas një pritje në kufij diku rreth 30 minuta, u futëm në Kosovë. Duke menduar se polica e sigurimit e veturës sime vlen edhe për Kosovë, ne fare nuk e morëm atë në pikën kufitare. Ne kemi vazhduar rrugën dhe kur arritëm në fshatin Ranillugë, na ndali policia në rrugë, na mori pasaportat dhe na urdhëroi të kthehemi sërish për në pikën kufitare, prej nga ku kemi hyrë”, kishte deklaruar Idrizi.

Kjo duket se ka shkaktuar edhe konfliktin fizik. Pas ngjarjes kanë filluar hetimet për policët e dyshuar. Këtë e ka konfirmuar për mediat lokale edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar ankesën nga qytetari/ankuesi në fjalë më 25 Tetor 2019. E njëjta fillimisht është pranuar në Departamentin për menaxhimin e ankesave e pastaj është transferuar sot në Departamentin e hetimeve të IPK-së.”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të IPK’së./NOA.al