Trump: Al Baghdadi u hodh në erë, vdiq duke qarë, bashkë me tre fëmijët
Transmetuar më 28-10-2019, 08:36

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, konfirmoi këtë të diel se lideri i ISIS, Abu Bakr al Baghdadi, vdiq gjatë një sulmi amerikan në Siri.

“Terroristi numër 1 në botë u hodh në erë, pasi u arratis, duke qarë dhe ulëritur. Gjatë shpërthimit u vranë edhe tre nga fëmijët e tij. Nën drejtimin tim shkatërruam Kalifatin. Terroristët nuk duhet të flenë të qetë”, deklaroi Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti nënvizoi se “Vdiq si një qen, si maskara”. Sulmi që çoi në vdekjen e liderit të ISIS, zgjati dy orë, ndërkohë që Trump e pa direkt gjithçka nga Situation Room në Shtëpinë e Bardhë.

“Ishte sikur pamë një film. Kishin edhe një robot me vete për të shkuar në tunele. Morëm informacione minutë pas minute. Më pas na thanë se ishte vetëm një person që po arratisej në një rrugë qorre. Ishte ai”, shtoi Trump.

Më tej Presidenti falënderoi kurdët sirianë, Rusinë, Sirinë, Turqinë dhe Irakun, duke thënë se pa ta sulmi nuk do të kishte qenë i mundur.

Trump deklaroi ndër të tjera se, “E dimë kush do të jetë pasuesi i tij. Ia kemi emrin pasuesit të Abu Bakr al Baghdadi: është në sistemet tona”.

Po ashtu kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ushtarët amerikanë morën me vete edhe pjesë nga trupi i Al Baghdadi, pasi hoqën rrënojat nga galeria nëntokësore e shembur nga shpërthimi dhe se analizat e para të ADN-së u kryen në vend. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...