Transmetuar më 26-10-2019, 10:32

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mori pjesë sot në samitin për Paqen në Evropën Juglindore, i cili po mbahet në Tiranë.

Në fjalën e tij ai tha se ndihet si në shtëpi edhe në Tiranë, njëlloj si në Prishtinë.

“Këtu njerëzit bëhen bashkë dhe e bëjnë këtë për paqe. Bashkimi për paqe është kushti për paqe të qëndrueshme e cila më tutje mundëson të lulëzojnë popujt, shtetet dhe mbarë shoqëria njerëzore. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ide që na udhëheqin, por edhe ide që na bëjnë bashkë. Ndër rreziqet më të mëdha është ndarja dhe përcvarja. Ndaj, samite të tilla janë të vlefshëm për të ardhmen. Njerëzit jetojnë dhe lulëzojnë në bashkësi, kjo është detyra jonë kryesore: Kudo që mundemi t’i bëjmë njerëzit bashkë. Angazhimi për paqen garanton përparimin”, u shpreh Kurti.

Ai tha se 30 vite më parë ra muri që na ndante në kohën e luftës së Ftohtë, por se tani në vend të një muri të madh ka shumë mure të vegjël që na ndajnë midis nesh e brenda nesh.

“Për t’i hequr këto mure të vogla që na ndajnë, është e domosdoshme të themi që kemi nevojë për paqe, se nuk ka alternativë të mirë ndaj paqes. Është e domosdoshme që për paqe ne t’i bëjmë aktive vlerat e përbashkëta, republika e Kosovës, e Shqipërisë, dhe vende të tjera në Ballkan duan të anëtarësohen në BE, në NATO, dhe pikërisht ky interes ynë i përbashkët duhet të bëhet sa më aktiv në rajon dhe më gjerë, në mënyrë që stabiliteti afatgjatë të jetë pasojë e drejtpërdrejt e zhvillimit të drejtësisë dhe demokracisë që duhet t’i ndërtojmë mes vendeve tona”, u shpreh ai.

Kurtiu ndal në nevojën e integrimit të sigurtë në Bashkimit Europian, duke thënë se Ballkani Perëndimor dhe BE janë shumë të rëndësishëm për njëri tjetrin.

“Brenda shteteve tona duhet të luftojmë varfërinë, pabarazinë dhe padrejtësinë. Prandaj është e domosdoshme të jemi bashkë në kundërshtimin e varfërisë padrejtësisë e pabarazisë”, deklaroi Kurti. /a.y/noa.al