Policia shqiptare flet për terroristë në Shqipëri, por thotë se s’ka prova t’i arrestojë
Transmetuar më 24-10-2019, 00:21

TIRANË, NOA.al – Opinioni publik shqiptar u shqetësua sot, kur u përball me një deklaratë policore të mbushur me nocionin terrorizëm dhe plane për sulme terroriste.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në deklaratë për mediat, foli sot për parandalimin e një sulmi terrorist por nuk tha se çfarë sulmi ndali, kush ishin personat që e organizuan dhe në çfarë etape e neutralizoi atë sulm të menduar.

Veliu tha se një rrjet terrorist, i drejtuar nga regjimi iranian është zbuluar në Shqipëri, duke theksuar se synimi i këtij rrjeti ishte kryerja e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane (MEK). Ai shtoi se në celulë ka dhe përfshirje trafiku droge. Menjëherë më pas, në disa media, duke iniciuar nga “Tema” e Mero Bazes nisën raportimet që implikojnë dhe pronarin e një radiotelevizioni. “Tema” shkruan se bëhet fjalë për pronarin e një RTV që ka dy emra. Në publikimin në fjalë që e pasoi Sokol Balla me “Real Story”, publikohet dhe lajmi i të përditshmes turke “Hurriyet” më 3 dhjetor 1998, që raportonte për arrestimin për trafik droge të shtetasve Ismail Çira, Musa Kazım Ay, Xhemaıl Pasmaçiu, Hekuran Hoxha, Fatmir Sofia dhe Abdülselam Turgut. "Real Story" shkon dhe më larg kur paralajmëron arrestime pasi kreu i emisionit, Sokol Balla intervistoi Veliun.

Kush është MEK

Vite më parë, një organizatë e armatosur e përbërë nga muxhahidinë, ishte në shënjestër të SHBA-ve të cilat i luftonin ata. Kohë më vonë, amerikanët u bënë “miq për kokë” e muxhahidinët dhe nxitën shtetet aleate që t’i përkrahnin në këtë ndryshim kursi.

Për më tepër, kërkuan nga vende të vogla si Shqipëria, që të strehojnë këta muxhahidinë.

Shqipëria, pa një pa dy, pranoi dhe hapi një kamp praë Gjirit të Lalzit ku ka disa vite që i mban të strehuar. Muajt e fundit, investimet që duket të jenë donacione amerikane, e kanë bërë goxha mirë këtë kamp madje dhe infrastrukturën përreth tij.

Tani, duket se muxhahidinët janë bërë një problem për ne shqiptarët, sepse pasi SHBA i importoi drejt vendit tonë, tani shqiptarët ndjehen të pasigurt nga planet për sulme terroriste që kryepolici Veliu njoftoi sot se janë realizuar nga një numër terroristësh ndërkombëtarë.

Për më tepër, alarmi rritet kur kryepolici konfirmon se mes terroristësh janë dhe muxhahidinë që presupozohet se duhet të ishin në kam, të izoluar.

Celula terroriste

Kryepolici Veliu thotë se një celulë aktive terroriste e njësisë së Operacioneve të Jashtme të Forcave QUDS të Iranit është zbuluar së fundmi nga Institucionet Shqiptare të Sigurisë. Celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK). Policia e Shtetit thotë se ky plan u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, por të tjera hollësi nuk dihen.

Kush është Peyman që drejton celulën terroriste

Celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si Peyman, thotë Veliu. Peyman është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Mes të tjerash, ai inicioi dhe zbatoi tentativën e fundit për sulm në muajin mars 2018. Peyman menaxhon shumë operativë, disa për grumbullim informacioni dhe të tjerë për të kryer sulme terroriste.

Një nga këta operativë është Alireza Naghashzadeh, një iranian i cili është vetë një ish-anëtar i MEK-ut dhe zotëron një pasaportë austriake. Naghashzadeh u dërgua nga Peyman-i për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua.

Rrënjët e celulës, të vjetra, lidhen me afera droge

Një tjetër operativ, është Abdolkhalegh Malek Zadeh, një iranian që jeton në Turqi dhe që ka drejtuar celulën operacionale. Malek Zadeh (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të Peyman-it dhe të Forcave QUDS. Turgut, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge. Turgut ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. Turgut është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, Turgut është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.

Operativët kriminelë, me bazë në Ballkan, që janë vartës të Turgut-it ose të një trafikanti droge turk të lidhur me të, nga viti 2018, janë dërguar në Shqipëri për të avancuar planifikimin e sulmeve kundër MEK-ut, siç ishte diktuar nga Malek Zadeh dhe Forcat QUDS. Autoritetet shqiptare i kanë identifikuar këta individë dhe informacioni i siguruar nga informatorë nga brenda organizatave kriminale i ka lejuar autoriteteve shqiptare që të parandalojnë planin e marsit 2018 dhe planifikimet eventuale për sulme nga figurat e krimit të organizuar që kishin si objektiv MEK-un për llogari të regjimit Iranian.

Forcat QUDS janë krahu operacional i IRGC (Islamic Revolutionary Guard Corps – Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) që vepron përtej kufijve të Iranit. Forcat QUDS drejtohen nga Qassem Soleimani, i cili është përgjegjës, mes të tjerash, për aktivitetin e Iranit në Jemen, Irak, Siri dhe Liban. Celula terroriste i përkiste, siç u përmend, njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS, një njësi operacionale e konsideruar si klandestine dhe sekrete, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e aktivitetit terrorist jashtë Iranit. Brenda kësaj njësie, ka një nënnjësi që merret ekskluzivisht me organizatat që janë kundër regjimit. Modus Operandi i njësisë përfshin menaxhimin nga distanca të forcave të treta (proxy), zakonisht kriminelë dhe anëtarë të mafies me të kaluar të ndryshme, në mënyrë që të mbulohet përfshirja e Iranit në terrorizëm. Duke përdorur këtë Modus Operandi, MOIS (Ministry of Intelligence and Security – Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë) të Iranit ka vrarë të paktën 4 opozitarë të regjimit në Holandë, Gjermani dhe Turqi dhe ka organizuar sulme të pasuksesshme, sikurse ishte sulmi i fundit i mbetur në tentativë kundër konferencës së MEK-ut në Paris, në Qershor 2018.

Kemi futur një organizatë terroriste në vendin tonë?

Nga viti 2014, me kërkesë të SHBA, Shqipëria ka pritur një numër anëtarësh të MEK-ut, një organizatë që e sheh veten si opozita në mërgim dhe si një alternativë praktike ndaj qeverisë iraniane. Policia jonë thotë se për këtë shkak regjimi iranian e sheh atë si kërcënim serioz për mbijetesën e tij. Sipas Veliut, MEK-u është një shënjestër kyçe për forcat e sigurisë iraniane, të cilat tentojnë të sulmojnë anëtarët e organizatës kudo ku ata mund të jetojnë dhe operojnë jashtë Iranit. Ai thotë se institucionet shqiptare të sigurisë po punojnë vazhdimisht për të ndalur këto tentativa për sulm.

Kush janë 4 personat dhe pse nuk arrestohen

Katër të cilësuarit si terroristë janë:

-Peyman, për të cilin nuk ka të dhëna të tjera. -Abdolkhalegh Malek Zadeh, i datëlindjes 21 Prill 1979. Njihet si “Ferhat”. -Erwin Aram, i datëlindjes 13 Korrik 1974. Njihet si “Alireza Naghashzadeh”. -Abdulselam Turgut, i datëlindjes 27 Maj 1967.

Por pse ata nuk arrestohen. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili foli sërish sot mbi atë që e quajti zbulim të një celule terroriste iraniane, pranoi se nuk mund t’i arrestojë sepse s’kanë prova.

Në një intervistë në News 24, tha se nga aksioni që kanë kryer, nuk pati të arrestuar, sepse provat e grumbulluara gjatë shoqërimit të personave dhe vëzhgimit, nuk ishin të mjaftueshme për të bërë arrestimin e personave të celulës. “Provat nuk ishin të mjaftueshme që të vazhdonim më tej për të bërë një arrestim të këtyre personave. Pas largimit nga Shqipëria, kemi shkëmbyer informacione dhe pasi kemi bërë analizim të provave, bëmë aksionin”, tha Veliu.

Po ashtu ai tha se identifikuan emrat më të rëndësishëm që fshiheshin pas kësaj celule, si dhe ‘koka’. Ai shtoi se njëri prej anëtarëve të celulës terroriste, personi me pasaportë austriake, shtetas iranian, ka vizituar rreth katër herë vendin tonë. Kreu i Policisë së Shtetit tha se bëhet fjalë për shtetasin Alireza Naghashzadeh, i njohur me emrin Erwin Aram.

A jemi ne dhe Europa në rrezik?

E gjitha duket se është një luftë mes njerëzish të armatosur në Iran, kundër muxhahidinëve, dikur një grup i armatosur që luftohej nga SHBA dhe sot nën mbrojtjen e tyre dhe shteteve aleate të saj.

Sipas të dhënave, e ashtuquajtura celula terroriste, synonte që të kryente një sulm në kampin e muxhahidinëve që ndodhet pranë Gjirit të Lalzit.

Autoritetet e Iranit, thonë zyrtarisht se “kërcënimi që i kanoset sigurisë së Shqipërisë nga prania e grupit terrorist MEK në këtë vend është i atillë saqë jo vetëm ky vend por edhe Evropa do të detyrohen të paguajnë pasojat e veprimeve dhe dhunshme dhe të vrasjeve që mund të kryejnë anëtarët e MEK sa herë që ata të marrin mision”.

Paralajmërimi është shumë i rëndë. “Sot, MEK i ndodhur në Shqipëri, duke pasur mbështetjen e Amerikës, po përdor eksperiencën e tij të kaluar për të kryer veprime të jashtëligjshëm në fusha të ndryshme me qëllim që të forcojë pozitën dhe praninë e tij në këtë vend evropian. Analizimi i një pjese të veprimeve të MEK në Shqipëri dhe krahasimi i tyre me lëvizjet e këtij kulti gjatë qëndrimit në Irak, mund të tregojë rrugën e veprimeve të tjera të jashtëligjshme që mund të ndërmarrë ky grup terrorist në Shqipëri, veprime që sjellin rreziqe mbi praninë afatgjatë të këtyre terroristëve në Evropë”, – thonë zyrtarët e Iranit.

Çfarë janë MEK

Zyrtarisht bëhet e ditur se MEK veproi 30 vjet në Irak dhe mbështetja e gjithanshme e ish-diktatorit Irakian Sadam Husein për këtë grup, krijoi disa mundësi për MEK që ky grup terrorist të depërtojë dhe influencojë në shërbimin informativ të Irakut dhe tek vetë shteti Irakian. Pas rrëzimit të Sadamit dhe me ndryshimet thelbësore që pasuan shtetin e ri Irakian, influenca e MEK qëndroi aty ku ishte në vitin e parë të shtetit të ri Irakian. Ky grup terrorist kishte influencë në një pjesë të parlamentit të ri të Irakut, në atë pjesë të ushtrisë që më pas tradhtoi në interes të grupit terrorist ISIS, si dhe kishte influencë në disa ministri dhe për këtë arsye shteti Irakian u përball seriozisht me sfidën e dëbimit të këtij grupi terrorist (MEK) nga Iraku. MEK, lidhjet e tij në Irak përveçse i ka shfrytëzuar nga aspekti politik i ka shfrytëzuar edhe nga aspekti informativ dhe ekonomik. Disa prej anëtarëve të parlamentit Irakian, në formë të hapur përpiqeshin për të plotësuar interesat e grupit terrorist MEK. E njëjta gjë sot vihet re edhe në Shqipëri. Siç thonë disa anëtarë të larguar të MEK, elementët e varur nga MEK duke paguar ryshfete dhe duke pasur mbështetjen e Amerikës kanë arritur të influencojnë në shtetin shqiptar dhe këto lidhje të fshehta t’i përdorin për realizimin e qëllimeve dhe interesave të tyre. P.sh. krerët e MEK influencën e tyre e përdorin për të ushtruar presione ndaj anëtarëve të larguar në Shqipëri. Kjo metodë që përdor MEK është pikërisht ajo mënyrë e lidhjeve me disa personalitete të korruptuar politikë në Amerikë të cilët në shkëmbim të ryshfeteve edhe në qeverinë amerikane synojnë realizimin e interesave të këtij kulti terrorist, – thotë zyrtarisht Irani, i cili thekson domosdoshmërinë e dëbimit të MEK nga Shqipëria, duke paralajmëruar se Shqipëria dhe Europa janë në rrezik: “Nëse ky grup terrorist për çdo lloj arsyeje fillon të kryejë dhunë dhe terror, atëherë jo vetëm Shqipëria por e gjithë Evropa do të detyrojë të paguajë pasojat e veprimeve të këtij grupi terrorist. Me fjalë të tjera futja dhe pranimi i një grupi terrorist duke ruajtur strukturën e tij të kultit terrorist dhe mos përkushtimi në paralajmërimet përkatëse, me padyshim do të thotë importim i pasigurisë në territorin shqiptar dhe në atë të Evropës”. /noa.al/

Loading...
Loading...