Refuzimi i Ballkanit Perëndimor në BE/ Vuçiç për “Financial Times”: Tani ata janë më të sinqertë me ne
Transmetuar më 23-10-2019, 15:38

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbi perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, deklaron se e vetmja qasje e përgjegjshme është të mbështetemi te vetvetja.

Një vendim i tillë, përkundër përpjekjeve për reforma të marra nga Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, e bën edhe më të qartë për rajonin se "nuk varet gjithçka nga ne:, tha Vuçiç në një intervistë dhënë për Financial Times.

"Ata gjithmonë thoshin: Gjithçka varet nga ju, nga ritmi i reformave tuaja… Tani ato janë më të drejtë. Të paktën thonë, nuk varet më nga ju", – tha Vuçiç.

Lidhur me refuzimin apo integrimin e ngadaltë, Vucic shprehet: "Çfarë mund të bëj, të qaj dhe të filloj në grevë urie përpara ndërtesës së Berlaymont?", duke nënkuptuar ndërtesën e zyrës në Bruksel, ku ndodhet selia e Komisionit Evropian.

"Unë nuk do ta bëj këtë, askush nuk do ta bëjë", tha Presidenti Vuçiç.

Vuçiç e sheh refuzimin e BE për të filluar bisedimet e pranimit me dy vendet e Ballkanit si shfajësim i lidhjeve më të ngushta të Beogradit me Rusinë dhe Kinën.

Beogradi, siç vërehet nga një gazetë e shquar britanike, është gati të nënshkruajë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Euroazian të premten dhe gjithashtu është në favor të integrimit të mëtejshëm rajonal.

"Ne duhet të kujdesemi për veten. Kjo është mënyra e vetme. Çdo gjë tjetër do të ishte e papërgjegjshme", tha Vuçiç.

Gazeta britanike vëren se komente të tilla mund të forcojnë frikën se BE po humbet ndikimin në Ballkan pasi liderët e Unionit nuk ranë dakord të fillojnë bisedimet me Shkupin dhe Tiranën në një samit javën e kaluar.

Presidenti Vuçiç tha gjithashtu se Ballkani duhet të bëjë shumë më tepër për të forcuar bashkëpunimin rajonal.

"Ne nuk mund të varemi nga vendimi i ardhshëm i Këshillit Evropian ose nga fakti nëse qeveria Holandeze do të vendosë në këtë mënyrë apo në atë, ose nëse qeveria daneze do të bëjë diçka të kundërt me pritjet tona", tha Vuçiç.

Javën e kaluar, Vuçiç nënshkroi një deklaratë mbi marrëveshjen e bashkëpunimit të bazuar në Shengen me Kryeministrat e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, e cila parashikon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve midis tre vendeve, kujton gazeta britanike.

Deklarata u bën thirrje edhe vendeve të tjera të rajonit të bashkohen, me qëllimin për të krijuar një treg të përbashkët, në një zonë me 18 milion njerëz.

Vuçiç tha se angazhimi për marrëveshjen e fundit u forcua nga negociatat e dështuara për të zgjeruar bllokun evropian.

Në të kaluarën, tha ai, fqinjët e Serbisë nuk ishin të interesuar sepse ata prisnin shumë më tepër nga BE.

Tani, siç tha Vuçiç, ata shohin se "së pari duhet t’i drejtohemi njëri-tjetrit, natyrisht, duke qëndruar në rrugën e BE-së, pa pritur bamirësi nga askush".

Vuçiç shtoi se është i gatshëm të rregullojë tarifat e taksave të vlerës së shtuar dhe stimulimet e investimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, të cilat, tha ai, do të kontribuojnë në krijimin e një tregu prej 12 milion njerëzve, mes të tre vendeve.

Gazeta britanike kujton se Serbia hapi negociatat me BE në 2014, por blloku e konsideron atë më pak të përgatitur për anëtarësim sesa Maqedonia Veriore.

Një diplomat i BE në Beograd i tha FT se Serbia "thjesht gjeografikisht" i përket Evropës.

Politika e Vuçiçit për bashkëpunimin rajonal dhe ekuilibrin e fortë të fuqive të mëdha i ngjan llogaritjeve gjeografike të bëra nga Jugosllavia, edhe pse ai vend ishte shumë më i madh se Serbia sot.

Sidoqoftë, mosbesimi rajonal dhe probleme bilaterale janë akumuluar gjatë luftërave, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe do të paraqesin një sfidë për krijimin e një bashkëpunimi më të thellë, përfundon "Financial Times"./NOA.al

Loading...
Loading...