Transmetuar më 23-10-2019, 13:17

Këshilli Rajonal i Lombardisë ka miratuar unanimisht një mocion, përmes të cilit i kërkon qeverisë italiane të bëjë gjithçka për të kthyer në Itali vogëlushin shqiptar, Alvin Berisha, i cili aktualisht ndodhet në kampet e rrezikshme të Sirisë.

“E pamundur të mos prekesh nga një histori e tillë. Ne po flasim për një fëmijë që ka lindur dhe rritur në zonën tonë. Alvini gjendet i vetëm në mes të një lufte tjetër, që mund të lërë shenjë të thella. Institucionet kanë detyrën të veprojnë, duke i mundësuar të voglit rikthimin në Itali pranë familjes.

I kërkojmë qeverisë të vlerësojë nëse ekzistojnë kushtet për t’i dhënë shtetësinë italiane Alvinit të vogël, familja e të cilit është plotësisht e integruar në shoqërinë lombarde. Përparësia e Rajonit të Lombardisë është rikthimi i Alvinit në shtëpi, ku e presin njerëz që e duan”, tha këshilltarja e Forza Italia, Paola Romeo.

Rasti i Alvin Berishës është një nga historitë e trishta dhe më të komentuara të momentit në Shqipëri dhe Itali , sidomos pasi reportazhi për të u bë publik në emisionin investigativ "Le Iene" në Itali.

Djaloshi është rrëmbyer nga e ëma pesë vite më parë, për t’u larguar drejt kampeve siriane e për t’u bashkuar me Isis.

Ka qenë i ati i tij, Afrim Berisha i cili përmes emisionit "Le Iene" ka gjetur të birin në Siri, por fatkeqësia qëndron në faktin se ai nuk mundet dot të bashkohet me të birin 11-vjeçar, për sa kohë ky i fundit nuk disponon dokumenta italiane./b.l/noa.al/