Transmetuar më 23-10-2019, 11:08

Zbardhet drafti i Partisë Socialiste lidhur me ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor.

Teksa të enjten do të mblidhet Komisioni i Reformës Zgjedhore, zbulohen propozimet që do të bëjë Partia Socialiste.

Ndryshimet e propozuara kanë të bëjnë me barazinë gjinore, keqpërdorimin e administratës publike dhe financimin e partive.

Pika 21 e nenit 1 riformulohet në këtë formë: “Shpenzime të fushatës zgjedhore janë shpenzime të bëra nga ose në emër të një partie politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatët dhe/ose degët e saj, ose nga një kandidat i pavarur, për të promovuar një parti, kandidatët e saj ose një kandidat të pavarur në zgjedhje, ose përpjekjen për të dëmtuar perspektivën e një partie tjetër, kandidatëve të partisë tjetër ose një kandidati të pavarur”.

Në propozim thuhet gjithashtu se në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni sipas pikës 2 të këtij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj.

"Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë. Shënimi “Ndaluar nga KQZ” vendoset jo më vonë se 24 orë nga raportimi", thuhet në propozim.

“Informacioni sipas kësaj pike është i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, thuhet në vijim. /a.y/noa.al