Transmetuar më 22-10-2019, 08:09

Në emisionin e kësaj të shtune në ‘Shiko kush luan’, Iris Luarasi tregoi fakte shumë interesante lidhur me ish-studentët e saj. Ajo zbuloi disa emra të cilët sot janë yje televizioni, por që dikur vetë Irisi i ka ngelur në klasë. Mes tyre ishte dhe emri i Arbana Osmanit.

Ky lajm bëri bujë të madhe në media, pasi nuk ishte menduar më parë që një moderatore e suksesshme si Arbana të ishte ngelëse. Gjithsesi moderatorja ka një arsye, të cilën e ka bërë të ditur për të gjithë.

Përmes një postimi në Instastory, ajo iu ka dhënë mundësinë fansave të saj ta pyesin për çfarë duan të dinë rreth librit të saj të gatimit, mirëpo ndjekësit të gjithë të vënë në dijeni për deklaratën e Irisit, nuk kanë hezituar ta thumbojnë.

Një prej tyre e ka pyetur “Çfarë recete do gatuaje për zyshën që të ngeli?”. Arbana ka përfituar nga rasti për të sqaruar njëherë e mirë të vërtetën që qëndron pas ngeljes së saj.

“Në vitin e dytë të fakultetit, frekuentimi i të gjitha leksioneve për mua që punoja në ‘Top Albania Radio’ ishte i pamundur. Kisha luftuar shumë për atë vend pune dhe në kohën kur im atë ishte i papunë dhe ne jetonim në një shtëpi me qera, puna ime për familjen time ishte shumë e rëndësishme. Përveç kësaj isha duke ndjekur pasionin tim, të cilin një pjesë e mirë e pedagogëve të mi e kanë mbështetur gjithmonë, me përjashtime shumë të rralla, siç është rasti i zysh Irisit. Unë e dija që do më mbeste në klasë ende pa filluar mësimi pasi kisha dëgjuar sa strikte ishte për mungesat, por atë vit zgjedhja ime ishte të ruaja punën. Do kisha dashur shumë të isha në çdo leksion të sajin sepse ‘gazetari radio’ ishte lënda ime e preferuar, por nuk mundesha sepse emisioni im në radio ishte të mërkurën në orën 12.00, atëherë kur fillonin leksionet e zysh Irisit dhe mua me vjen keq. Një vit më vonë e mora 10 e dy vite më vonë temën e diplomës zgjodha ta punoja prapë me zyshën e prapë mora 10.

E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është që ‘mikesha jonë’ zgjedh të trajtojë si ngelës njerëz të cilët e kanë dashur lëndën e saj ndoshta më shumë se vetë zysha, por për arsye frekuentimi nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në çdo leksion. Nga e gjithë kjo përvojë gjithsesi sot kam kuptuar një leksion. Nuk të bën as ngelës, as dështak, as të paaftë nota e një mësueseje. Përkundrazi, edhe pse zysh Irisi jam e bindur që nuk ka pasur asnjë qëllim të keq, të dëmtojë reputacionin tim apo të kolegëve të mi, iu ka dëshmuar të gjithë të rinjve që na ndjekin se edhe pse ‘ngelës’ mund t’ia dalësh. Një përqafim për të gjithë studentët që paralelisht punojnë dhe për të gjithë profesorët e tyre, natyrisht”, është përgjigjur Arbana.