Transmetuar më 21-10-2019, 22:38

Florini është një i ri i cili kërkon rikthimin e motrës së tij nga kampet siriane.

Në emisionin Open ai tha se motra e tij, Klotilda Zani ndodhet atje që prej vitit 2014 dhe ka 3 fëmijë. “Unë jam drejtuar në Ministrinë e jashtme dhe nuk më kanë pritur fare. Në polici po ashtu, por nuk merret njeri. Kam 4-5 muaj që merrem me këtë gjë dhe nuk më ndihmon njeri. Motra më ka shprehur se do të kthehet. Shteti nuk është interesuar fare. Motra më ka thënë se jeton në një çadër dhe ka dhe 3 fëmijë është në një situatë të keqe, bashkëshorti nuk dihet ku është”, tha Florini. Ndërkaq në një audio të dërguar nga Klotilda Zani nga kampi Al-Hol është publikuar në emisionin “Open”, ku ajo thotë se duhet shumë e madhe parash për të dalë që aty.

“Këtu që të ikësh duhet pare e madhe. Duhet të interesoheni më shumë ju familjet tona. Megjithatë shiko çfarë mund të bësh. Këtu duhet pare e madhe, përveç shtetit nuk bën kush gjë. Ne pasaportat nuk i kemi na i kanë marrë”, thotë ajo.