Transmetuar më 21-10-2019, 20:10

Analisti Fatos Lubonja ka folur për situatën politike në vend pas refuzimit për hapjen e negociatave me BE-në por dhe reagimet në dy kampet politike në vend. Në studion e News24, në rubrikën “Opinion”, Lubonja tha se mosçelja e negociatave erdhi për shkak të problemeve të Europës por që lidhen me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe si i thellojnë këto vende problemet që ka Europa.

Sipas tij është e gabuar që si arbitër shihen ndërkombëtarët pasi arbitri duhet të jemi ne. Ai tha se Shqipëria duhet të forcojë institucionet dhe shtetin e së drejtës. “Pse nuk u çelën, arsyet i kemi thënë. Janë probleme të Europës por që janë padyshim dhe të lidhur me vendet tona në kuptimin se vendet si të tonat thellojnë ato probleme që ka Europa. Ideja e Makronit këtu është debati, se duhet forcuar kjo Europë që kemi se po u shpërndamë dhe hapemi dhe më, ka rrezik të shpërbehemi fare, kjo është një ide që qëndron për mendimin tim. Problemi ynë është ky që e marrim të mirëqenë këtë që thotë Makroni që ne duhet të forcojmë, të vëmë rregulla pranimi, njërën-tjetrën por nga ana tjetër ne nuk është se punojmë për të bërë propagandë Edi Rama në një krah ose Lulzim Basha në krahun tjetër… U futët, s’u futët, jep dorëheqjen mos jep, e ka fajin Europa, s’e kam fajin unë. Ne kemi procesin tonë të ndërtimit të një shteti të së drejtës, të një shteti që të jetë sa më afër atyre vlerave europiane. E keqja e madhe këtu tek ne është që u bë gjithë kjo zhurmë e madhe për negociatat, ndërkohë që po të jetë puna për dorëheqje të qeverisë nuk jepet dorëheqja për këtë, por kanë gjithë këto skandale që kanë ndodhur. Mjaft skandali i Astirit ishte i mjaftueshëm që të binte një qeveri. Qeveritë duhet të bien kryesisht për arsye të keqqeverisjes, të skandaleve që bëhen në vend”, deklaroi Lubonja.