Transmetuar më 21-10-2019, 17:50

67 drejtues mjetesh janë proceduar penalisht dhe janë pezulluar 320 patenta gjatë kontrolleve të javës që sapo kaloi.

"Në funksion të kontrolleve parandaluese, janë evidentuar dhe janë kapur në kushtet e flagrancës 67 drejtues mjetesh, nga të cilët 19 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 31 të pa pajisur me leje drejtimi, 16 për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe 1 drejtues mjeti për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit", thotë policia.

Po ashtu janë pezulluar 320 leje drejtimi, nga të cilat 198 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 69 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 53 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Janë proceduar administrativisht 22 drejtues mjetesh për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara dhe gara në shpejtësi.

Gjatë patrullimeve janë kontrolluar fizikisht për sende të paligjshme 234 automjete të ndryshme dhe 295 persona.

"Nga kontrollet policore të ushtruara ndaj mjeteve me dy rrota është verifikuar dhe sekuestruar nga Policia Rrugore e Tiranës një motomjet i vjedhur, si dhe janë vendosur 254 masa administrative për mosvendosje të kaskës mbrojtëse. Janë vendosur në të gjitha akset rrugore nacionale dhe rurale 567 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit. Janë vendosur 67 masa administrative për shkelje të sinjalizimit te ndritshëm", thuhet në njoftimin e policisë. /k.k/noa.al/