Transmetuar më 21-10-2019, 12:49

Bllokohet 298 ton karburant, i cili rezulton jashtë standardeve. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, në bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, gjatë ditës së sotme, bënë bllokimin e karburantit, në një vendburim në Bashkinë Finiq, e cila ishte jashtë standardeve të tregtimit.

Kjo pasi nga kontrolli i ushtruar në këtë vendburim u konstatua se mungonte vërtetimi teknik, si dhe kishte probleme me cilësinë.

Nga analizat e kryera rezultoi se lënda prej 298 tonësh, e bllokuar në këtë pikë vendgrumbullimi, kishte parametra të pazakontë sa i takon nivelit të squfurit por edhe nivelit të flakërimit.

“Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në kuadër të planit anti-informalitet, bashkë me administratën doganore, bën një plan kontrolli dhe gjatë kontrollit kemi konstatuar 298 ton produkt, lëndë e parë, naftë bruto, e cila është e stokuar në këtë vendburim, pa vërtetimin teknik. Menjëherë kemi njoftuar administratën doganore që të hetojë në lidhje me fiskun e produktit”, deklaroi kreu i ISHTI, Admir Abrija.

Ky produkt rezulton të jetë një ndër produktet me risk dhe me shkallë monitorimi shumë më të lartë, për vetë mundësinë e përdorimit dhe si lëndë djegëse për ngrohje apo për elementë të tjerë.

Ministrja e Energjisë dhe Industrisë, Belinda Balluku deklaroi se ky është një sulm frontal kundër informaliteti, i cili do të vazhdojë.

“Të gjithë entet shtetërore, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si Ministria e Financave dhe të gjithë agjencitë apo drejtoritë në varësi të tyre, janë të fokusuar tek lufta kundër informalitetit dhe askush nga ne nuk ka plan që të ndalojë”, u shpreh Balluku. /a.y/noa.al