Transmetuar më 21-10-2019, 11:20

“Vlerësim sipas meritës është qëndrimi i prerë i vendeve anëtare, për vendet që duan ti bashkohen Bashkimit Europian”.

Kështu deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha ditën e sotme, lidhur me vendimin e Këshillit të Europës për të refuzuar çeljen e negociatave me Shqipërinë, kur tha se shumica ishin në një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave dhe për këtë u miratuan 9 kushte.

Këto kushte tha ai, në thelb tregojnë se qeveria shqiptare ka bërë hapa pas nga viti ne vit, ku situata e rëndë ekonomike, mungesa e mundësive që vjen prej kapjes së institucioneve dhe pabarazisë para ligjit, ka detyruar shqiptarët të largohen si azilkerkuës.

“Krimi dhe korrupsioni janë shqetësim për vendet e Bashkimit Europian. Ndëshkimi i blerjes së e votës, funksionimi i gjykatave të larta të vendit, vënia para drejtësisë e të inkriminuarve dhe korruptuarve në nivele të larta janë kërkesat e panegociueshme për hapjen e negociatave. Këto nuk janë probleme të Bashkimit Europian siç deklaron propaganda e drejtuar nga kryeministri aktual. Janë probleme të qeverisjes së tij”, u shpreh Basha.

Ai tha se krejt e ndryshme paraqitet situata për Maqedoninë e Veriut, ku nuk u vendos asnjë kusht, por thuajse mbështetje unanime.

“Megjithatë kryeministri Zaev paraqiti dorëheqjen, i riktheu mandatin qytetarëve dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga ana tjetër qeveria jonë e cila është refuzuar nga vendet europiane, vazhdon të mos e lëshojë pushtetin, në dëm të popullit shqiptar. Ne kemi vetëm një rrugë drejt së ardhmes dhe kjo është rruga europiane. Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë”, deklaroi lideri i opozitës.

Sipas tij, dështimi është i Edi Ramës dhe jo i Shqipërisë dhe se ky mesazh ka qenë më i fortë se kurrë nga Gjermania që i tha “Po” Shqipërisë dhe “Jo” qeverisë përmes 9 kushteve që duhen përmbushur.

Lideri i opozitës deklaroi se në Europë shkohet duke ndërtuar fillimisht standardet europiane në vendin tënd.

Në këtë linjë shtoi se kjo nuk i intereson Edi Ramës, sepse kjo nënkupton zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarje të politikës nga krimi, ndarje dhe balancim të pushteteve, institucione të forta dhe të pavarura të drejtësisë”.

Basha tha se të gjithë bien dakord se rruga e vetme drejt së ardhmes është rruga europiane dhe se Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë.

Ai nënvizoi se pa reforma serioze, të cilat ai nuk është në gjendje dhe nuk dëshiron ti ndërmarrë, Europa do të vazhdoje ta refuzojë Ramën, dhe shqiptarët, do të vuajnë pasojat.

“Një njeri po na mban peng të gjithëve! Kjo duhet të marrë fund. Është koha që qeveria të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar. Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur”, deklaroi Lulzim Basha.

Ai vijoi duke thënë se ne jemi një popull i talentuar, i mirëarsimuar dhe punëtor dhe se “Ne na duhet një qeveri e re, një qeveri që çon vendin përpara në procesin e integrimit europian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se, “Kushtet e BE janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike me mundësi për qytetarët e saj”. /a.y/noa.al