Transmetuar më 21-10-2019, 09:19

“Shqipëria duhet të nisë më zbatimin e kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman për t’u bërë gati për hapjen e negociatave”. Me këtë qëndrim Presidentja e Grave të Partisë Popullore Europiane, Doris Pack, inkurajoi qytetarët shqiptarë të shkojnë përpara në rrugën e integrimit europian.

Pack i bëri këto komente nga Vjena të dielën, ku u mbajt takimi “Vizioni i grave për një Evropë më të mirë”, në të cilin Partia Demokratike u përfaqësua nga kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi.

Doris Pack, e keqardhur për vendimin për mos hapjen e negociatave, mbështeti nisjen e bisedimeve me kushte për Shqipërinë, duke e konsideruar këtë si një vendim jo për qeverinë, por për qytetarët e saj.

Pack, e cila është një njohëse e mirë e situatës në Shqipëri, tha se është shumë e shqetësuar me krizën politike në vend.

“Opozita i dorëzoi mandatet, pasi nuk kishte më asnjë garanci kushtetuese. Në parlament nuk respektohej e drejta e fjalës dhe mekanizmi parlamentar për kontrollin e qeverisë, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk ekziston. Korrupsioni i lartë dhe krimini organizuar janë probleme shqetësuese. Një ish ministër i brendshëm u dënua nga një gjykatë. Ndërkohë që në qendër të Tiranës protestohet prej shumë muajsh në mbrojtje të Teatrit Kombëtar të cilin qeveria po kërkon ta shembë për të ngritur kulla të larta vetem pë qëllime fitimi. Shqipëria duhet të nisë përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bundestagu, përsa i përket luftës kundër korrupsionit, vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të luftojë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës”, u shpreh Pack.

Duke shprehur shqetesimin për numrin e lartë të azilantëve, kryesisht të rinj që largohen në mungesë së alternativave të shkollimit dhe punësimit, Doris Pack i kërkoi Bashkimit Europian të rrisë presionin ndaj Shqipërisë.

“Në këtë mënyrë qeveria do të detyrohet të plotësojë kushtet dhe të hapë perspektiva për shqiptarët në Shqipëri, duke bërë që edhe numri i azilantëve të zvogëlohet”, tha Pack.

Bashkë me zëvendës Presidenten e Parlamentit Europian, Mairead McGuiness, me zëvendës Presidenten e re të Komisionit Europian, Dubravka Šuica dhe komisionerien Mariya Gabriel, Pack, i bëri thirrje Bashkimit Europian që të mbajë derën e hapur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. /a.y/noa.al