Transmetuar më 20-10-2019, 16:27

Presidenti Ilir Meta niset sot në Japoni me ftesë të Perandorit të këtij vendi për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Madhërisë së Tij Perandorit të ri, Naruhito.

Gjatë qëndrimit të tij në Tokio, Presidenti Meta do të pritet në një takim të veçantë nga Kryeministri i Japonisë, Shinzō Abe, si dhe do të ketë takime me disa kryetarë të shteteve të ndryshme, pjesëmarrës në këtë ceremoni.

Japonia është një partner tepër i rëndësishëm i Shqipërisë, me kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

“Shqipëria dhe shqiptarët janë shumë mirënjohës për solidaritetin, mbështetjen dhe ndihmat bujare teknike e financiare të dhëna ndër vite, që e kanë forcuar edhe më shumë ndjenjën e miqësisë së popullit shqiptar për Japoninë dhe popullin japonez.

Hapja e Ambasadave në Tiranë dhe në Tokio, i ka dinamizuar dhe zhvilluar marrëdhëniet si kurrë më parë, duke rritur jo vetëm bashkëpunimin politik e ekonomik, por mbi të gjitha kontaktet e drejtpërdrejta midis dy vendeve tona”, thuhet në njoftimin e Presidencës.