Transmetuar më 20-10-2019, 12:18

Krimet e Rënda dhanë  masën ‘arrest shtëpie’ për Petrit Dukin, i arrestuar më 16 tetor.

Ai akuzohet për “vrasje me dashje në rrethana të cilësuara”, e mbetur në tentativë.

I arrestuari çau me makinë kordonin e policisë në Shkozë, ku po shembeshin disa banesa më 16 tetor.

Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, me trupë gjyqësore Bib Ndreca, dha sot masën e sigurimit “Arrest shtëpie” për personin nën hetim Petrit Duki.

Por prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë ndryshimin e cilësimit ligjor, duke e akuzuar Dukin vetëm për “Kundërshtim të forcave të policisë” dhe “Kanosje për shkak të detyrës”, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.

Në caktimin e masës së sigurisë në sallë ka qenë prezent edhe ish-deputeti dhe ish-Ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, i cili nuk është pranuar në caktimin e masës së sigurisë.

Mësohet se Petrit Duki dhe Avokati Arbër Hoxha do të apelojnë masën e sigurimit “Arrest shtëpie” në Gjykatën e Apelit./NOA.al