Transmetuar më 18-10-2019, 20:18

Aurela Kullolli, studentja e degës së Mjekësisë nga Elbasani, e cila përfundoi studimet e larta me mesataren absolute “10”, duke mos marrë asnjë notë tjetër në të gjitha lëndët, është kthyer aktualisht në vendlindjen e saj, për të mbyllur edhe 4 vitet e specializimit.

Por Aurela Kullolli ka marrë një bursë për gjuhën gjermane të profesionit të mjekësisë dhe bursë për të mbrojtur licencën nga Gjermania, e po sheh mundësinë që të largohet nga vendi por ajo më të vështirën ka largimin nga familja, që sakrifikoi aq shumë për shkollimin e saj.

Ajo ka qenë këto ditë në Gjermani, ku edhe si shumë të rinj të tjerë shqiptarë, fatkeqësisht paralajmëron se mund të largohet nga vendi ynë, sepse i është afruar bursë dhe madje një mundësi e shkëlqyer pune pas studimeve. Edhe pse Shqipërisë sot iu refuzuan sërish negociatat me BE-në, Gjermania duket se po i merr ajkën vendit tonë, mes politikave favorizuese për të rinjtë e arsimuar dhe të talentuar.

“Dëshira ime më e madhe është të kuntribuoj këtu, por duhen parë të gjitha mundësitë. Dua një vend që të vlerësohem për atë që jam dhe jo se kush janë prindërit e mi, sa para apo sa pushtet kam”, tha ajo për emisionin "BOOM" në RTV Ora.

E cilësuar si “vajza e artë” e Elbasanit, sepse të mbyllësh Mjekësinë me medalje ari, duhet veç talentit dhe vullnetit të hekurt, edhe një sakrificë e madhe.

Ka qenë një udhëtim i gjatë në rrugën e dijes, por i shoqëruar me shumë sakrifica jo vetëm nga Aurela, por edhe nga ana e prindërve të saj, çka e bën atë të emocionohet.

“Ishte e vështirë të mbyllja studimet në mjekësi me mesataren 10, por jo e pamundur. Babai ka vuajtur nga krizat  në veshka dhe më pëlqenin bluzat e bardha që ishin të afërt me babain dhe më pëlqente të isha e fuqishme mbi shëndetin. Ishte sakrificë, babain e nxorën në reformë, motra në gjimnaz. Prindërit detyroheshin që edhe bukën e fundit ta ndanin për mua dhe motrën”, theksoi ajo.

Mes lotësh ajo tregoi se e ëma ka sakrifikuar që të punonte turni i tretë, me qëllim të paguhej 8-9 lekë të vjetra më shumë, me qëllim që të përballonte shkollimin e vajzës.

“Sakrificë dhe për mamin që punon në paraburgim, operatore te kamerat, i pëlqen të bëjë turnet e treta sepse mendon se merr më shumë të ardhura, 8-9 mijë lekë të vjetra më shumë. Babai në fillim kur u futa në maturë dhe mjekësi më thoshte po mbarove vitin e parë me të gjitha 10 do të blej makinë, pastaj jo kur të mbarosh të fundit. Nuk është se vuaj për makinë po bëj shaka me babain: Hë ku e ke makinën? Kam një makinë lodër. Edhe makinën do ta kemi një ditë”, shprehet ajo.

Aurela aktualisht po bën praktikën e katër viteve pas mbylljes së Mjekësisës së Përgjithshme, në Urgjencën e vendlindjes së saj Elbasan, ku zgjodhi të rikthehet për të qenë sa më pranë prindërve të saj. /NOA.al