Transmetuar më 18-10-2019, 15:16

Presidenti në ikje e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, tha se vendimi negativ për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte “një gabim historik” i liderëve të Bashkimit Europian.

Avokat i fortë i integrimit të vendit tonë në BE, Junker tha se “pata thënë në fillim të mandatit tim se nuk do të kishte zgjerim gjatë këtij mandati”.

“Por çështja këtë herë nuk ishte kjo, çështja ishte nëse ato ishin apo jo kandidatë në nivelin e duhur për të na lejuar që nisnin bisedimet. Unë mendoj që ishte një gabim historik”.

Edhe Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, u shpreh se tema e zgjerimit do të ridiskutohet në samitin e majit 2020. “Mbrëmë liderët diskutuan zgjerimit. Shumica dërrmuese donte që të hapeshin bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por nuk pati unanimitet. Prandaj unioni do t’i rikthehet çështjes. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë faj për këtë. Të dy vendet bënë atë që iu kërkua të bënin. Të dy shtetet kishin të drejtën të pretendonin për çeljen e bisedimeve. Ata ishin gati, por fatkeqësisht disa shtete brena unionit nuk ishin gati”.

Edhe Tusk tha se, “Për mendimin tim ishte gabim. Mesazhi im për shqiptarët dhe maqedonasit është: Ju lutem mos u dorëzoni. Nuk kam asnjë dyshim që një ditë do të bëheni pjesëtarë të BE”.

Gjermania i ka vënë disa kushte Shqipërisë që duhen plotësuar dhe pritet të luajë një rol vendimtar në muajt e ardhshëm për ta afruar vendin tonë me vendet e tjera të BE-së, ashtu sikurse do të veprojë edhe me Maqedoninë e Veriut.

Deri në maj 2020, kur të mbahet Samiti i Zagrebit, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu duhet të presin sërish./NOA.al