Transmetuar më 18-10-2019, 15:13

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron thotë se përparimet e bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mjaftojnë për të hapur negociatat. Në një konferencë pas përfundimit të samitit, Macron tha se ka shumë probleme me çështjen e emigracionit të paligjshëm.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin shumë reforma. Dua të përgëzoj sidomos Maqedoninë Veriore për arritjen e një marrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit. Përparimet janë bërë, por ato nuk janë të mjaftueshme. Ka probleme të jashtëzakonshme sidomos me çështjen e emigracionit të paligjshëm", është shprehur Macron.

Macron tha se diskutimi ka qenë i frytshëm dhe kjo e ka ndihmuar atë  për të kuptuar gjendjen e vërtetë në këto dy vende të Ballkanit Perëndimor. Por e rëndësishme tha ai, është reforma brenda BE. "Kryesore është reforma brenda nesh. Pra duhet reformë përpara se të hapim derën e anëtarësimit për vendet e tjera. Duhet parë më tej se çfarë duhet të bëjmë me këtë axhendë. Procesi duhet parë i gjithi. Në momentin që në të hapim dyer, edhe ne mund të na fajësojmë në lidhje me këtë. Duhet të riformojmë Evropën dhe na duhet një proces tjetër, na duhet besueshmëri dhe strategji dhe këto janë komentet e mia që doja ti ndaja me ju", deklaroi Macron.

Ndërsa kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që të mos dorëzohen, pasi sipas tij e kanë bërë punën e tyre. Ai shtoi se është e sigurt që një ditë dy shtetet do anëtarësohen në BE.

“Ju lutem mos u dorëzoni sepse ju e bëtë punën tuaj. Është e vërtetë që nga njëherë kërkohet shumë kohë për të vendosur. Është e sigurt që një ditë do të bëheni anëtare me të drejta të plota”, tha Tusk./b.l/noa.al/