Transmetuar më 18-10-2019, 14:53

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu keqardhje për vendimin negativ që doli nga samiti i krerëve të shteteve të Bashkimit Europian, për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut .

“Kur diskutuam hapjen e fatkeqësisht nuk ishim në gjendje të arrinim një marrëveshje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më vjen shumë keq për këtë vendim. Pozicioni i Gjermanisë ka qenë për të nisur bisedimet, nëse do të përmbusheshin disa kushte, por nuk arritëm unanimitet mbi këtë çështje”, tha Merkel.

“Do të vazhdojmë të diskutojmë këtë temë dhe kemi rënë dakord që para samitit të Zagrebit do t’i rikthehemi kësaj çështjeje”.

Samiti i Zagrebit do të mbahet në muajin maj të vitit 2020.

Deri atëherë besohet se do të gjendjet edhe një zgjidhje, për të bindur Francën, vendi që besohet se i bllokoi negociatat.

“Duhet të pranojmë që Maqedonia ka bërë shumë me çështjen e emrit. Edhe Shqipëria ka bërë shumë, merrni për shembull çështjen e vetting-ut. Por nuk arritëm të kishim vendim unanim për përparimet që kanë bërë” theksoi kancelaria gjermane.

Merkel pranoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë realisht në Europë.

“Kur sheh hartën, e kupton se sa e rëndësishme që është këto vende të bëhen pjesë e Bashkimit Europian”, shtoi Kancelarja Angela Merkel.

Pas vendimit është folur për një dorëheqje të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev./NOA.al