Transmetuar më 18-10-2019, 14:35

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nga qyteti i Kukësit ku është i ftuar në kremtimin e 60-vjetorit të “Radio Kukësit”, iu përgjigj interesit të medieve dhe foli për mundësinë e çeljes së negociatave me Bashkimin Europian.

Kreu i shtetit u pyet nga gazetarët se a do ta dekorojë kryeministrin Edi Rama ashtu siç ka deklaruar më parë nëse BE vendosë të hapë negociatat me Shqipërinë.

Meta u përgjigj se, “sot jemi këtu për të dekoruar Radio “Kukësin”, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, sepse e ka merituar plotësisht dhe e ka përmbushur misionin fisnik sidomos në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke pasur kontribute për ato arritje që ka sot Kosova dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.”

Meta, sa i takon negociatave, tha se akoma nuk është dhënë një vendim përfundimtar.

Reagimi i plotë i Presidentit Ilir Meta, nga Kukësi

Pyetje: Mirë se erdhët për 60-vjetorin e Kukësit, por do t’ju pyesim për negociatat?

Presidenti Meta: Kam ardhur për 60-vjetorin e Radio ‘Kukësit’. Për negociatat nuk mund të flitet sot. Asgjë nuk ka përfunduar. Shpresojmë të ketë reflektim. E kam thënë edhe më përpara: Ato vendet që janë skeptike të ndjekin shembullin e Bundestagut të Gjermanisë.

Pyetje: Do ta dekoroni kryeministrin zoti President, nëse do të çelen negociatat, meqë e keni deklaruar?

Presidenti Meta: Sot jemi këtu për të dekoruar Radio “Kukësin”, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, sepse e ka merituar plotësisht dhe e ka përmbushur misionin fisnik sidomos në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke pasur kontribute për ato arritje që ka sot Kosova dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Pyetje: Nëse nuk çelen sot negociatat zoti President? Duket se ka dështim?

Presidenti Meta: Po të mos humbasim shpresën… Sot këtu në Kukës…

Pyetje: E ka fajin qeveria apo Franca?

Presidenti Meta: Sot në Kukës kemi një gëzim dhe ta çojmë gëzimin deri në fund!

/NOA.al