Transmetuar më 18-10-2019, 14:04

Presidenti i Republikës, Ilir Meta,  nga qyteti i Kukësit, ku ndodhej sot, ka folur për mundësinë e çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Ai i bëri apel qytetarëve shqiptarë të mos humbasin shpresat, ndërsa fton vendet skeptike të ndjekin shembullin e Bundestagut gjerman dhe të Gjermanisë.

“Shpresoj të ketë reflektim për një vendim pozitiv. Asgjë nuk ka përfunduar. Vendet skeptike të ndjekin shembullin e Bundestagut. Të mos i humbasim shpresat”- theksoi Meta, duke iu referuar për mundësi reflektimi Francës, por edhe Holandës e Danimarkës.

Këshilli Evropian pritet të certifikojë zyrtarisht këtë të premte pas samitit dy ditor të vendeve të BE-së, vendimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mbi hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Europian./NOA.al