Transmetuar më 17-10-2019, 11:58

Pas arrestimit të Tesilvan Bashos dhe vëllait te tij, persona të konsideruar shumë të rrezikshëm, policia ka kryer të tjera arrestime në qytetin e Vlorës, ne një aksion që ka vijuar edhe në orët e natës.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Vjeshta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, moren pjese edhe efektivet e Vlorës, Fierit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës. Ndalohen 7 persona e shpallen në kërkim 3 të tjerë.

Ky operacion është realizuar në kuadër të hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, të cilat kanë zgjatur për një periudhë 6-mujore. Operacioni është përqëndruar në dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal kryesisht kundër ”Kultivimit të bimëve narkotike”, por edhe veprave të tjera penale si ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, ”Shpërdorimi i detyrës”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe ”Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë këtij hetimi është dokumentuar në mënyre të plotë e të gjithanshme ky aktivitet kriminal për një nga zonat me risk të lartë për kultivimin e bimëve narkotike, siç janë Njësitë Administrative të Bashkisë Selenicë.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë ekzekutuar urdhrat e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për arrestimin e shtetasve: Çerçiz Velaj, 33 vjeç, banues në fshatin Lapardha, Bashkia Selenicë, E. L, 28 vjeç, banues në fshatin Kotë, Bashkia Selenicë, Daniel Nikaj, 22 vjeç, banues në fshatin Mazhar, Bashkia Selenicë, Altin (Shkëlzen) Veizaj, 37 vjeç, banues në Vlorë, Antonio Veizaj, 27 vjeç, banues në Vlorë, Mario Veizaj, 22 vjeç, banues në Vlorë, Romeo Likaj, 29 vjeç, banues në fshatin Lapardha, Bashkia Selenicë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e 3 shtetasve të tjerë dhe vijon puna për kapjen e tyre. Në vazhdimësi të këtij hetimi, janë evidentuar 24 raste të kultivimit të bimëve narkotike në 5 Njësitë Administrative (Armen, Sevaster, Brataj, Kotë dhe Vllahinë), ku më parë janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 16 persona (8 të arrestuar, 4 në kërkim, 4 në gjendje të lirë).

Janë sekuestruar 3 armë zjarri (2 kallashnikov dhe 1 pistoletë), 1 226 000 lekë dhe 4 850 €uro, 3 automjete dhe 19 aparate celulare, si dhe janë asgjësuar bimë dhe fidanë kanabis sativa.

Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, si dhe po punohet për kapjen e personave të shpallur në kërkim./b.l/noa.al/