Transmetuar më 14-10-2019, 15:13

Lart mbi qiellin e Beogradit, Ismail Qemali dhe Isa Boletini, dy baballarët e kombit, "fluturuan" krah njëri-tjetrit atë natë, në një hartë ku ishte vizatuar Shqipëria Etnike.

Ishte 14 tetori i vitit 2014 dhe atë natë luhej një ndeshje shumë më e madhe se ajo e fushës!

Aty ku mijëra serb të tërbuar dhe xhindosur, hidhnin gurë, shanin, kërcënonin dhe vërshëllenin kuqezinjtë.

"Kosova është Serbi" dhe "Vdekje Shqiptarit", por djemtë tanë u përleshën dhe nuk e menduan asnjë moment të largoheshin pa marrë atë flamur dhe pa e siguruar mirë! Rrezikuan jetët e tyre, por e bënë për atdheun e tyre! 5 vite më parë përjetuam një moment që na mbushi me frymë, krenari dhe lumturi.

Aty ku në zemër të Beogradit, nuk kishin bërë llogaritë me qiellin, duke blinduar tokën! Aty ku harruan se shqiponja kuqezi fluturon dhe zbret nga lart!

Ismail Morina, ndryshe "Ballisti", njeriu që kaloi qindra peripeci i akuzuar si autori i dronit, sot jeton me familjen e tij dhe ka hedhur gjithçka pas shpine!

Lorik Cana me shokë dëshmuan një qëndresë heroike në fushë, ashtu si Isa Boletini dhe Ismail Qemali kur ngritën themelet e kombit, pavarësisht atmosferës armiqësore, që shpërtheu pas xhindosjes së tifozëve serbë.

Droni me Shqipërinë Etnike që fluturoi mbi qiellin e Beogradit i tërboi edhe më keq serbët. Ndeshja u ndërpre pa u mbyllur pjesa e parë, për të mos u luajtur më, ndërsa Shqipëria pas një procesi të gjatë gjyqesh, e mori në tavolinë fitoren e pastër 3-0, fitore që i hapi rrugë kualifikimit historik në Euro 2016.