Transmetuar më 14-10-2019, 18:29

Redaksionale NOA: T’i tregosh gishtin e mesit shqiptarëve, a mund t’ia hedhësh me një ndjesë?

Duke dalë nga mjediset luksoze në mes të zonës më të shtrenjtë të Tiranës ku rehatohet çdo ditë, Berndt Borchardt kaloi rrugën afër një grupi protestuesish që kanë halle mbijetese: Një strehë për të futur kokën. Teksa ikte prej tyre, nxorri gishtin e mesit që siç e dimë të gjithë është një xhest kaq i ulët dhe me domethënie kaq të ndyrë.

Një ditë më pas sot, Berndt Borchardt përmes Ambasadës së OSBE që drejton në Shqipëri, pranoi gabimin skandaloz duke kërkuar ndjesë.

A mjafton kjo?

A mund të pranojmë që në krye të OSBE në vendin tonë, të drejtojë një njeri që u nxjerr gishtin e mesit shqiptarëve?

A e di Berndt Borchardt se është person publik?

A e di ai se një ambasador e ka për detyrë minimalisht të jetë neutral dhe ndër rregullat bazike është sjellja e hijshme?

A e di ai se edhe një pastruese dënohet nëse kryen një veprim të tillë?

A e di ai se nëse këtë xhest do ta kishte bërë një lojtar futbolli, do të flakej me karton të kuq?

E pra, pse Berndt Borchardt duhet të rrijë ende në krye të OSBE?

Përse ai duhet ta shijojë luksin e të qenit në këtë post, kur shqiptarëve u nxorri gishtin?

Pse çfarë jemi ne shqiptarët?

Një ndjesë publike përmes Twitter-it të OSBE në Tiranë, nuk mjafton.

Xhesti është i rëndë dhe nuk kapërdihet dot.

Ndaj Berndt Borchardt duhet të largohet. Qoftë me dorëheqje prej tij, qoftë me shkarkimin nga selia qendrore e OSBE.

Ai është në kushtet e një xhesti të papranueshëm që e ndalon etika morale dhe profesionale, një xhest që vetë e pranoi kur shprehu ndjesë, ndaj qëndrimi ende në atë post nuk ka më kuptim.

Për më tepër, përderisa u nxjerr gishtin e mesit shqiptarëve, përse duhet të vazhdosh të ushqesh karrierën tënde dhe të sigurosh jetesën tënde prej tyre?

Ndaj Berndt Borchardt, IK!

Më së paku, IK!

Dhe mos u merr më me shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë apo gjetkë, edhe nëse të riciklojnë në poste të tilla, sepse me veprimin që bëre, tregove se nuk i do ata!