Shërbimet e Tatimeve do të merren tek ADISA, përplasje qeveri-opozitë
Transmetuar më 13-10-2019, 00:14

Ministrja e Financave, Anila Denaj, iu përgjigj akuzave të Partisë Demokratike për kalimin e shërbimit tatimpagues tek ADISA, duke thënë se ky vendim nuk tejkalon kompetencat ligjore.

Zonja Denaj e ftoi opozitën të mos e paragjykoje procesin, që po bëhet sipas saj për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Por ministrja e Financave e la të hapur mundësinë e tërheqjes nga ky vendim nëse qytetarët janë të pakënaqur.

Nga ana tjetër, zonja Denaj tha se puna për vënien në jetë të projektit të fiskalizimit në 1 Janar 2020, po vijon normalisht dhe nuk ka asnje shtyrje te afatit.

Aktualisht, ministria e Financave po vlerëson propozimet teknike.

Më herët sot Partia Demokratike tha se Qeveria e Edi Ramës vijon të rëndojë klimën e biznesit në Shqipëri, pasi vendos një tjetër barrierë proçeduriale antiligjore.

PD njoftoi se çdo biznes nuk do të ketë më marrëdhënie direkte me tatimet, por me agjensinë pa ekspertizë dhe pa kapacitet ADISA.

Në kundërshtim flagrant me ligjin, qeveria ka vendosur që çdo biznes, i vogël apo i madh qofte ai, nuk do të ketë më marrëdhënie direkte me tatimet dhe nuk do të marrë më shërbimet e nevojshme pranë sporteleve të organit tatimor.

Tatimpaguesit shqiptare do të futen në rradhët e gjata të sporteleve të Agjensisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), e cila nuk ka as ekpertizën, as kapacitetet për të përballuar kërkesat dhe volumin e punës për të dhënë përgjigje për çdo shqetësim që tatimpaguesit kanë.

Sipas Ligjit për Proçedurat Tatimore, detyra parësore e organit tatimor është dhënia e shërbimit tek tatimpaguesi, por me vendimin e fundit të qeverisë, nëse bizneset do të kenë nevojë për sqarim apo ndihmë nga tatimet, do ta gjejnë këtë derë të mbyllur, pasi duhet të aplikojnë tek ADISA.

Loading...
Loading...