Shpërblim pensionistëve për fundvit, ja propozimi i ish-ministrit të Financave. KLSH ngre disa shqetësime
Transmetuar më 11-10-2019, 17:49

Ish-ministri i Financave, aktualisht kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i kërkoi sot Ministrisë së Financave në komisionin parlamentar që edhe këtë vit të miratojë shpërblim për pensionistët pasi i tillë ishte premtimi elektoral.

“Të planifikoni sot të paktën 3.3 mld një bonus për pensionistët në mënyrë që pensionistët të gëzojnë siç gëzuan vitin e kaluar edhe këtë vit", tha Ahmetaj.

Deklaratën e kreut të komisionit të ekonomisë e bëri gjatë diskutimit të buxhetit faktik 2018, ndonëse Kontrolli i Lartë i Shtetit ngriti disa shqetësime.

Për KLSH shqetësim kryesor është rritja e detyrimeve të prapambetura me 12 miliardë lekë, çka bën që niveli i deficitit buxhetor të jetë më i lartë se 1.6 për qind.

Kontrolli i Lartë i shtetit gjatë raportimit evidentoi gjithashtu se projektet me partneritet publik privat vijojnë të mbeten një nga shqetësimet kryesore dhe i kërkoi qeverisë të bëj kujdes edhe për projektet që miratohen pa fond.

Sipas KLSH vetëm gjatë vitit 2018 shkarkimet e padrejta nga administrate i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 1.6 mld lekë. Drejtoresha e Përgjithshme e Kontrollit të Lartë të Shtetit i bëri apel institucioneve të bëjnë kujdes me largimet nga puna./NOA.al

Loading...
Loading...