Transmetuar më 11-10-2019, 13:46

Shqipëria luan sonte në Turqi dhe për të mbajtur gjallë shpresën e kualifikimit për në “EURO 2020” duhet që të besuarit e trajnerit Edi Reja të marrin një rezultat pozitiv, ku padyshim fitorja është “qershia mbi tortë”.

Çdo rezultat tjetër përveç fitores për kuqezinjtë nuk vlen, pasi shanset për t’u kualifikuar do të ishin thuajse zero. Aktualisht Turqia ka 15 pikë dhe kryeson grupin së bashku me Francën me pikë të barabarta, ndërsa Islanda ka 12 pikë, më pas vjen Shqipëria me 9 pikë.

Prandaj kuqezinjtë do të tentojnë hakmarrjen për humbjen në ndeshjen e parë në Shkodër, por edhe për të qëndruar në lojë deri në fund për kualifikimin. Trajneri Reja pritet që të zbresë në fushë me një formacion 3-5-2.

Në portë do të jetë Strakosha, përpara tij Dermaku, Gjimshiti dhe Ismajli. Mesfusha e ngjeshur me pesë lojtarë do të përbëhet nga Lenjani, Bare, Gjasula, Memushaj dhe Roshi, ndërsa goli do të kërkohet nga Manaj dhe Cikalleshi. Sfida do të luhet në orën 20:45.