Franca do të kërkojë shtyrjen e vendimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Transmetuar më 11-10-2019, 00:17

Franca do të kërkojë shtyrjen e një vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mbledhjen e javës së ardhshme të Këshillit Evropian.

Propozimi që Franca ka hedhur për momentin në tryezën e vendeve anëtare, lidhet së pari me idenë publike të Presidentit, Emmanuel Macron, për të reformuar fillimisht BE-në përpara se të avancohet me zgjerimin.

Në funksion të kësaj ideje, Franca kërkon një qasje të rishikuar të procesit të zgjerimit.

Sipas saj, negociatat me vendet që duhet të anëtarësohen duhen të jenë graduale, më konkrete dhe procesi të mos jetë automatik dhe i pakthyeshëm, ose e thënë me fjalë të tjera, që në momentin kur nuk vlerësohet përparimi i duhur, procesi të mund të pezullohet.

Kjo, është në funksion të zbatimit të prekshëm të reformave, veçanërisht ato që lidhen me shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të drejtave themelore.

Sipas propozimit të Francës, brenda pranverës së viti të ardhshëm, Komisioni Evropian duhet të hartojë këtë qasje apo strategji të re për procesin e zgjerimit.

Ndërsa paralelisht, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i kërkohet që ndërkohë, të vijojnë me zbatimin e reformave, specifikimi i të cilave mbetet për t’u përcaktuar, por që mund të jenë, në rastin e Shqipërisë, përafërsisht çka përmban propozimi gjerman dhe ndonjë element shtesë për të cilën Franca ka një ndjeshmëri të veçantë.

Loading...
Loading...