Transmetuar më 10-10-2019, 14:48

Presidenti i Republikës, Ilir Meta inicioi sot nismën që ka ndërmarrë “U’ jam Arbëresh” me mbajtjen e takimit të parë të këtij Forumi në Institucionin e kreut të shtetit.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Forumit, mes të cilëve ishin të pranishëm Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Kryetari i Bashkisë së Shën Mitrit Salvatore Lamirata, Padre Pietro Lanza i Kishës italo-arbëreshe, Konsulli i Nderit Aldo Marino, akademikë, historianë, albanologë dhe intelektualë të shquar, Neritan Ceka, Paskal Milo, Tritan Shehu, Moikom Zeqo, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi, Nasho Jorgaqi, Gjovalin Shkurtaj, Shezai Rrokaj, etj., Presidenti i Republikës vuri në dukje se:

“Kanosja reale e zhdukjes së kësaj gjuhe do të ishte një humbje e madhe jo vetëm për arbëreshët, të cilët e ruajtën atë me besnikëri të pashoqe dhe dashuri për gjashtë shekuj, por edhe për Shqipërinë, Italinë dhe për gjithë trashëgiminë dhe kulturën europiane e botërore.”

Më tej Presidenti Meta nënvizoi se për të mos lejuar që të ndodhë kjo humbje, për të dhënë një kontribut konkret dhe në vazhdimësi të ruajtjes e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës arbëreshe, por edhe për të forcuar lidhjet midis dy brezave të rinj dhe jo vetëm, nga të dyja anët e Adriatikut, unë besoj se jemi edhe në këtë forumi e në çdo nismë tjetër.

“Ky forum ka disa objektiva, ku ndër më parësoret janë nxitja, ruajtja, dhe zhvillimi i gjuhës së folur dhe asaj letrare arbëreshe e po kështu, edhe mësimi i saj në shkolla.” – theksoi Presidenti Meta.

Në vijim, pjesëmarrësit në takim diskutuan dhe paraqitën mendimet e tyre rreth arritjes dhe zbatimit të objektivave të rëndësishme të Forumit “U jam Arbëresh”./b.l/noa.al/