Transmetuar më 10-10-2019, 14:29

Dritan Haxholli, i cili mbeti i vrarë sot në Kavajë, brenda në banesën e një gruaje, me të cilin kishte pasur lidhje për  kohë më parë, rezulton i dënuar më herët në Greqi dhe në vendin tonë. I dënuar për trafik droge, 41-vjeçari ishte i divorcuar dhe jetonte vitet e fundit, në një banesë private në Kavajë, bashkë me të ëmën.

Fqinjët dhe e ëma e viktimës mësohet se ishin në dijeni të lidhjes së tij me 30-vjeçaren Marsida Qatja, nënë e tre fëmijëve, bashkëshorti i së cilës është arrestuar dhe dënuar prej disa kohësh dhe aktualisht po vuan dënimin në Gjermani.

Në dëshminë e saj në polici, Marsida Qatja pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me Haxhollin, të cilën e kishte ndërprerë, prandaj edhe kjo shihet aktualisht si pista kryesore e konfliktit me armë, në ngjarjen tronditëse, që la pas një të vdekur dhe një të plagosur.

Haxholli, pas divorcit, mësohet se ka edhe një vajzë 13 vjeçe që jeton me nënën e saj.

Ndërkohë që familja ka hapur dyert e mortit, trupi i pajetë i 41-vjeçarit nuk ka shkuar ende në banesë pasi po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth mesnatës në lagjen numër 2 të Kavajës, ku Haxholli hyri në banesën e ish-të dashurës dhe qëlloi me armë policin Bledar Toçi, ndërsa ky i fundit, i ftuar mbrëmjen e djeshme nga 30-vjeçarja për të shuar konfliktin me Haxhollin, mbeti i plagosur.

Sipas policisë i plagosuri, shef i sigurisë së brendshme të burgut Durrës, e qëlloi në kushtet e vetëmbrojtjes Haxhollin.

Por megjithatë, Bledar Toci është arrestuar pak orë pas ngjarjes, ndonëse i plagosur, deri në mbyllje të hetimeve, bashkë me të vëllain e tij. I vëllai i të plagosurit nuk ka lidhje me ngjarjen, por pas kontrollit në banesë, iu gjet një sasi lënde narkotike.

Por edhe Marsida Qatja, në banesën e së cilës u vra me armë zjarri i Dritan Haxholli dhe u plagos Bledar Toci, të cilit ajo i kërkoi ndihmë për të zgjidhur konfliktin me Hoxhollin, është vënë nën hetim nga prokuroria, nën akuzë për mashtrim.

Motra e saj mësohet se ka një agjenci udhëtimi, ndërsa edhe Marsida ishte denoncuar për mashtrim nga disa qytetarë.NOA.al