Transmetuar më 10-10-2019, 12:30

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi sot se maxhoranca synon të miratojë brenda muajit dhjetor të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHIR. Gjiknuri deklaroi sot se përfaqësuesit e opozitës së re në komision mund ta bllokojnë miratimin e reformës zgjedhore, pasi sipas tij insistojnë  në ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Por bashkëkryetari i Komisionit të Reformës tha sot se çështjet e rëndësishme si sistemi zgjedhor, vota e emigrantëve apo reformimi i partive dhe financimi i tyre do të shtyhen në një kohë më të vonshme.

“Brenda një jave ekspertët do të paraqesin draftet e para për të adresuar rekomandimet e OSBE-së. Opozita ka të drejtën e propozimit për sistemin zgjedhor që do të adresohet paralelisht me rekomandimet e OSBE-së. Ne e bëmë të qartë që çështja e sistemit, vota e emigrantëve apo të tjerë të komplikuar do të duan më shumë kohë, ne duam që brenda dhjetorit të mbyllim cështjet që kanë të bëjnë me rekomandimet. Meqë nuk e kemi -PD dhe ata nuk morën pjesë, do i diskutojmë në një tavolinë më të gjerë, meqë nuk ishin aty, dhe cdo rekomandim që të diskutohet të përtej këtij komisioni.

PD nuk ka sjellë propozime, në çdo draft që do të diskutojmë natyrshëm edhe ata kanë të drejtë të bëjnë propozime si shoqëria civile, komente dhe vërejtje. Por Shqipëria ka disa prioritete që lidhen me negociatat. Ne kemi vullnetin për ta parë cështjen e sistemit. Por komisioni filloi ta trajtojë cështjen dhe javë pas jave do të miratojmë paketa. Nëse PD-ja zgjedh rrugë komunikimi apo ka propozimet e saj jemi gati ti marrim parasysh, tryeza me PD është përtej kodit, është e natyrës politike. Unë besoj që brenda dhjetorit kemi mundësi ti adresojmë cështjet që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE-së”, tha Gjiknuri.

I pyetur për dorëheqjen e tij nga kreu i komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri e kaloi me një batutë teksa tha se kjo nuk është me kërkesë e opozitës. “PD nuk e ka më objektiv dorëheqjen time, ka objektive të tjera”, tha ai duke qeshur.

Ndërsa bashkë-kryetarja e reformës zgjedhore Rudina Hajdari nuk lëviz nga kushti që opozita e re nuk voton reformën zgjedhore në dy faza, por kërkon që si rekomandimet e OSBE-se ashtu edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor të votohen së bashku.

“Kemi rënë dakord të bëjmë disa grupe pune për disa nga cështjet, disa për ndryshimin e sistemit për një propozim konkret nga opozita parlamentare, atë që ne do të propozojmë. Ftesa mbetet e hapur për PD-në dhe të gjitha partitë jashtë sistemit, kemi komunikim me disa nga kolegët dhe të donim të dorëzonin propozimet e tyre, që të ishte me konsensus të gjerë edhe partitë jashtë, pasi ky ndryshim, reformë bëhet për shqiptarët. Reforma të jetë tërësore. Nuk do të ketë reformë me dy faza, për këtë të jeni të qartë dhe për këtë kemi rënë dakord.

Do të merremi edhe me rekomandimet e OSBE-së, por edhe për ndryshimin e sistemit, por kur të vijë momenti i miratimit do të jetë bashkërisht. Opozita parlamentare ka vetëm një qëllim; ndryshimi i sistemit, ta shembim këtë dhe qytetarët të votojnë përfaqësuesit e tyre dhe jo partitë politike. Ne do të bëjmë çdo gjë në shërbim të kësaj, do të shikojmë mos të shmangim vëmendjen, kemi një vendim të rëndësishëm për çeljen e negociatave. Nëse nuk hapim negociatat do të jemi në një pozicion shumë të vështirë. Sot ka dy synime, futja në BE dhe ndryshimi i sistemit”, u shpreh Hajdari./b.l/noa.al/