Transmetuar më 10-10-2019, 06:27

Përpara fundit të shtatorit kryeministri Rama u shpreh se shqiptarët do të udhëtojnë me AirAlbania Migjeni drejt Italisë me kosto më të lirë.

Departamenti i Antikorrupsionit, Aksesit në Shërbime dhe Transparencës në PD thotë se "e gjithë kjo propagandë ishte për të mbuluar dështimin spektakolar të çeljes së negociatave, por përtej gënjeshtrës banale të kryeministrit, ajo që duhet theksuar është mashtrimi që ai po i bën institucioneve ndërkombëtare në emër të Shqipërisë".

"Siç e kemi thënë edhe më parë, AirAlbania e ka të pamundur që të udhëtojë nëpër Europë pa marrë liçencën TCO të lëshuar nga EASA (European Aviation Safety Agency), kjo licencë mund të merret vetëm nëse përmbushen disa kritere të forta të cilat nuk mund të shmangen. Sipas dokumenteve publike AirAlbania nuk rezulton si një linjë fluturimi e licencuar.

Në mungesë të licencës, në mungesë të standardeve minimale, kryeministri ka gjetur shpëtim tek një tjetër marifet. Ai ka kërkuar nga Turkish Airline (aksionare e AirAlbania) përdorimin e licencës, avionëve, stafit dhe ndoshta edhe karburantit (kjo në gjuhën teknike quhet “Wet-Lease”). Përmes kësaj lëvizje ai ka mundur t’i hedhë hi syve të shqiptarëve dhe institucioneve ndërkombëtare, shqiptarëve ua ka shitur këtë si “fluturimin e Migjenit” ndërsa ndërkombëtarëve u ka treguar kontratën që ka bërë me Turkish Airlines.

E vërteta pra, është se Migjeni është fasada e cila fsheh Turkish Airlines, ndërkohë që kjo e fundit jo vetëm që ka 49% të aksioneve, jo vetëm që drejtori ekzekutiv i AirAlbania është ish punonjës i Turkish Airline; por gjithashtu Turkish zotëron edhe mirëmbajtjen, licencën dhe gjithçka tjetër. Kështu kryeministri ynë fryhet me miellin hua që ia ka marrë borxh Turqisë dhe që mund t’i hiqet nga duart në çdo çast", përfundon qëndrimi i ekspertëve nga Departamenti i Antikorrupsionit, Aksesit në Shërbime dhe Transparencës në PD.