Në Leskovik, 4 javë nga fillimi i shkollës dhe nxënësit ende pa mësuese
Transmetuar më 09-10-2019, 21:26

Viti i ri shkollor ka katër javë që ka nisur, por nxënësit e klasës së tretë në shkollën e mesme të bashkuar "Jani Vreto" nuk kanë mundur të zhvillojnë një proces mësimor normal.

Mësuesja është larguar dhe ende nuk është zëvendësuar. Fiks Fare udhëtoi drejt Leskovkut pas shqetësime të prindërve adresuar pranë redaksisë. Bashkëpunëtorët e Fiksit vërtetuan në ambientet e shkollës se nxënësit nuk kishin një mësuese stabël për të bërë mësim.

Ata i zhvillojnë lëndët kryesore me një mësuese tjetër. Kjo e fundit pohoi se ishte e vështirë dhe e lodhshme mësimi me dy klasa së bashku.

Drejtoresha e shkollës pranoi situatën, duke shpjeguar se numri i pakët i nxënësve në ciklin fillor u ka krijuar vështirësi. Në bazë të udhëzimit Nr.30 të Ministrisë së Arsimit, i cili nënvizon se për  numrin e nxënësve të klasave fillore me më pak se 50, duhet të krijohen klasa kolektive. Shkolla po pret vendimin e Drejtorisë Vendore  Arsimore në Kolonjë për situatën e krijuar.

Nga ana tjetër edhe drejtori i Zyrës Arsimore Kolonjë citoi udhëzimin  e Ministrisë së Arsimit, si arsye se pse nuk është zëvendësuar mësuesja e larguar. “Do shkojmë drejt krijimit të klasave kolektive, po tkurremi e po tkurremi në numër nxënësish”, pohoi Vrion Çaushi.

"Kolonja  është një rreth i cili ka hedhur hapat e para në arsim, por ky është realiteti",  përfundoi drejtori i Zyrës Arsimore.

Loading...
Loading...