Transmetuar më 09-10-2019, 10:42

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ketë një ligj, që do të parashikojë masa të rrepta për dhunuesit dhe autorët e dhunës në familje.

Duke folur në Forumin e dytë Rajonal me temë “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, Rama deklaroi se shumë shpejt qeveria shqiptare do të nxjerrë një propozim, që do të jetë shumë i rreptë për dhunuesit.

Ai tha se “gratë që rrahin burrat, duhet të jetë një e drejtë e njeriut dhe se burrat dhunues do përfundojnë në qendra rehabilitimi”.

“Nëse shohim përqindjen e grave që fitojnë raste në gjykata është për të ardhur turp. E rëndësishme është që të shkojmë në një nivel më tej, më lart në kuadrin ligjor dhe me instrumentet që luftojnë dhunën në familje. Shumë shpejt do dalim me një propozim, që do jetë shumë i rreptë sa i përket dhunuesve dhe autorëve të dhunës në familje. Burrat duhet të marrin përgjegjësi. Dhuna ndaj grave është një krim i rëndë.

Shumë shpejt, një muaj ose një muaj e gjysmë do të dalim me një propozim. Më mirë të kemi propozimin, sesa të qëndrojmë në vend numëro e të ndihemi të lumtur e të kënaqur. Ligji është përmbledhje e gjithë frikërave tona. Duhet të kemi një ligj që të inkuadrojë të gjitha frikërat e burrave, në mënyrë që të kemi gra më të lira”, deklaroi Rama.

Më tej ai vijoi edhe me promovimin për  rritjen e rolit të grave në vendimmarrje. Nisur nga përvoja e tij në krye të bashkisë dhe qeverisë, Rama thotë se nëse kërkon njerëz për muhabet zgjidh gjithmonë burra, por nëse kërkon punë duhet të zgjedhësh gra.

“Kemi bërë një rrugë të gjatë përpara. Sot kemi 50% të këshillave bashkiakë me përfaqësi grash, në qeveri kemi më shumë gra sesa burra. 60% e pozicioneve drejtuese tona në administratën publike mbahen nga gratë. E gjitha kjo është një meritë. Nga përvoja ime mund t’ju them se nëse doni që të flisni, të keni diskutime të gjata pa bërë asgjë mund ta bëni duke pasur burra të pranishëm.

Por nëse doni që të punoni realisht dhe nëse doni që gjërat të bëhen është më mirë të zgjidhni gratë, janë një garanci më e madhe. Burrat thonë gjithmonë po, por në fund nuk e bëjnë atë që duhet të bëjnë.Kur i thua pse nuk e  bërë fillojnë me një listë justifikimesh të njohura dhe të dëgjuara. Kur i thua një gruaje që duhet ta bësh, atëherë gratë thohnë jo se ndoshta nuk është mënyra e duhur për ta bërë.Por kur thonë po, është e sigurt që do ta bëjnë”, tha ai./b.l/noa.al/