Transmetuar më 09-10-2019, 10:25

Ka nisur paraditen e sotme seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, ku në rendin e ditës janë disa çështje mes të tjerash interpelanca me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, kërkuar nga deputeti Myslim Murrizi.

Por që në nisje të saj ka ardhur një paralajmërim nga deputeti Kujtim Gjuzi për kryetarin e Kuvendit, pasi e akuzoi se seancën e kaluar nuk i dha fjalën që të replikonte me kryeministrin Rama.

“Në seancën e kaluar nuk më lejuat të replikoj me kryeministrin, ju lutem zbatoni rregulloren mos thoni uluni në vend, pasi do të kemi incidente si ata të opozitës në breg të Lanës. Nuk mund të na trajtosh ne sikur kemi ardhur me zor. Unë kam të drejtë të replikoj me kryeministrin sa herë të më përmend mbiemrin, kërkoj falje të gjithë shqiptarëve”, tha ai.

Ndërkohë që kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u përgjigj duke thënë: “Nuk është shkelur rregullorja. Dua t’u kujtoj se radhën e kaluar u kam tërhequr mbi tre herë vërejtje, ju kam paralajmëruar. Respektoni rregulloren që të mos përsëritet”.