Transmetuar më 09-10-2019, 01:07

Pushimet kanë nja dy javë që mbaruan dhe të gjithë, qoftë të rritur, por edhe të vegjël e kanë të vështirë t’i rikthehen ritmit të jetës së përditshme. Por gjumi i pushimeve duhet lënë pas.

Për shumë fëmijë në moshën e çerdhes, kopshtit e sidomos shkollës, rikthimi në bango është një shqetësim më vete, përveç faktit që do të takohen me shokët.

Për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve, por edhe prindërve, një grup pediatrësh në Itali kanë përcaktuar disa hapa në formë pakete këshillash sesi të përballohet më lehtë kjo periudhë, dhe të shkojë në ritmin e duhur.

Kryefjala që fëmijët duhet të ndjekin në këtë kohë është rregulli. Pediatrët shpjegojnë se fëmijët duhet të praktikojnë sport gjatë ditës, sepse aktiviteti fizik i çliron nga stresi dhe i ndihmon të flenë gjumë. Në orët e mbrëmjes ekspertët këshillojnë që të qëndrohet larg videolojrave, telefonëve apo televizorëve, veprime që u shkaktojnë ankth dhe irritim.

Ja cilat janë disa nga këshillat që japin mjekët dhe mënyrat e duhura sesi prindërit të ndihmojnë fëmijët në nisjen e një viti të ri shkollor:

Fëmijët duhet të mësohen me një orar zgjimi, të nisin një rutinë të tillë para se të nisë shkolla.

Të kenë rregull në mënyrën e të ushqyerit duke lënë pas çmenduritë e pushimeve, të hahet rregullisht mëngjesi, paraditja, dreka, pasditja dhe darka.

Prindërit të programojnë ditën dhe të shoqërojnë fëmijët në shkollë.

Kujdes, mos ia përcillni fëmijëve ankthin që keni.

Kushtojini pak kohë fëmijëve duke kujtuar së bashku eksperiencat e bukura, por edhe ato negativet.

Me pak durim, rregulla dhe vëmendje nga prindërit të gjithë fëmijët mund t’ia dalin të kalojnë të qetë kalimin nga pushimet te disiplina.