Transmetuar më 08-10-2019, 16:44

Numërimi i votave është mbyllur zyrtarisht në Kosovë.

Konfirmohet fituese Lëvizja Vetëvendosje si forcë e parë me 31 deputetë.

Partia e dytë renditet LDK-ja me 30 deputetë, e cila ndiqet nga PDK në vend të tretë me 25 deputetë.

Partia e drejtuar nga kryeministri ende në detyrë, Ramush Haradinaj, në koalicion me PSD-në, ka mundur të marrë vetëm 14 deputetë.

Nisma nuk ka mundur të kalojë pragun për vetëm 324 vota.

Duhet theksuar se nuk janë lexuar ende votat me kusht dhe ato të diasporës prej të cilave Nisma mund të marrë dhe përqindjen e kërkuar për të pasur deputetët e saj në Parlamentin e ri të Kosovës.

Vetëvendosje, sipas Kushtetutës, duhet të krijojë qeverinë e re. Pritet një koalicion mes partisë së drejtuar nga Albin Kurti dhe LDK-së, që drejtohet nga Isa Mustafa. Posti i kryeministrit i takon Vetëvendosjes, sipas një marrëveshje paraprake para zgjedhjeve, por kjo mbetet të zyrtarizohet nëse koalicioni mes tyre do të realizohet për qeverisjen e Kosovës në katër vitet e ardhshme. Besohet se Vjosa Osmanit do t’i afrohet fillimisht posti i zv.kryeministres dhe ministres së Jashtme, ose posti i Kreut të Kuvendit, për të bindur LDK-në.

Shifrat

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka numëruar 100 për qind të votave të rregullta për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 202.968, vota apo 25,48%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 197.702 vota, apo 24,82%, Partia Demokratike e Kosovës ka 169.211, apo 21.24%.

Koalicioni AAK-PSD ka marrë 92.149 vota apo 11,57%. Lista Serbe ka marrë 6.61për qind ose 52.620 vota.

Koalicioni Nisma-AKR-PD mbetet nën pragun e zgjedhor, pasi ka marrë 39.495 vota apo 4.96%.

Rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta, të cilat pritet në numërohen ditëve të ardhshme.

Nga numërimi i 100 për qind të votave, 40.732 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga ana e KQZ-së.

Në zgjedhjet për nivelin qendror në qershor 2017, mbi 42 mijë fletëvotime të qytetarëve u shpallën të pavlefshme. Shifra e votave të pavlefshme pothuajse u dyfishua në tetor të po atij viti kur vendi shkoi në zgjedhje lokale. Ishin rreth 80 mijë vota, të cilat KQZ-ja i shpalli të pavlefshme.

NOA.al