Transmetuar më 08-10-2019, 17:00

Zbulohet një tjetër zonë e kultivimit të kanabisit në vend.

Të premten rreth orës 19:00 u raportua në sallën operative të Krujës për gjetjen e bimëve narkotike në Malin e Krujës. Efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë asgjësuar të shtunën me qindra rrënjë të mbjella në një territor të thepisur dhe pa pronar.

Parcelat me kanabis ishin në lartësinë 2.5 metra të cilat pas tharjes ishte i gatshëm për t’u hedhur në treg.

Në malësinë e Krujës janë konstatuar edhe më herët sasi të konsiderueshme të kultivimit të lëndëve narkotike, por, autorët sërish kanë mundur t’i shpëtojnë ndëshkimit të ligjit.

Drejtoria e Policisë Vendore Durrës dyshon se, parcelat me kanabis sativa i përkasin një grupi kriminal që operon në zonën e Fushë Krujës.

Një nga arsyet që u kërkua prezencë e shtuar policore, sipas një reportazhi të "Abc News", lidhet me faktin mbi rrezikshmërinë dhe influencën që kanë në zonë këto gupe. Tetori cilësohet si muaji ku është edhe piku për vjeljen e kanabisit në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit nuk ka publikuar asgjë në raportet ditore të faqes zyrtare të saj, mbi të dhëna rreth betejës ndaj kanabisit.

Uniformat blu kanë ruajtur të njëjtin standard me atë të fundshtatorit ku u asgjësuan rreth 4000 bimë kanabis sativa në tre zona të ndryshme të vendit.

Rrethi që ka përhapje më të madhe të kultivimit të kanabis sativa, është Librazhdi. Edhe zona të tjera, si Gjirokastra, Vlora, Fieri si edhe në Malësinë e Shkodrës e të Kukësit policia ka gjetur lëndë narkotike, duke prangosur kryetar fshatrash dhe punonjës pyjesh.

Ndërkohë arrestimit nuk i kanë shpëtuar as specialistët e policisë së zonave të cilët, kanë shkelur ligjin për monitorimin e territorit. /NOA.al