Transmetuar më 08-10-2019, 13:33

Këtë fillim jave ka nisur faza e pestë e raundit të dytë të pranimeve për në universitet. Kjo fazë u jep mundësi për tu klasifikuar si fitues, atyre kandidatëve që ndodhen të pozicionuar nëpërmjet pikëve të grumbulluara pranë asaj që konsiderohet si “vija e kuqe”.

Rektori i Universitetit Politeknik Andrea Maliqari në një intervistë për RTSH ka sqaruar se pjesa më e madhe e kuotave janë plotësuar për këtë institucion të Arsimit të Lartë.

Tashmë kanë mbetur të lira vetëm 200 kuota, duke u dhënë mundësinë nëpërmjet tyre, maturantëve që synojnë këto degë të aplikojnë dhe të shpallen fitues në raundin e tretë.

Zoti Maliqari sqaron se programet më të preferuara vijojnë të jenë të njëjtat si një vit më parë, dhe kuotat e tyre janë hezauruar që në raundin e parë.

Në mbyllje të këtij raundi të dytë do të ketë edhe një raund të tretë duke u krijuar mundësi për të fituar të tjerë që ndodhen shumë pranë vijës së kuqe. Raundi i tretë i procesit të pranimeve në universitet, përfundon në fund të këtij muaji.

LISTAT E PLOTA