BB: Ngadalësohet ritmi i rritjes ekonomike në Shqipëri, PPP-të jo të këqija, duhet transparencë
Transmetuar më 08-10-2019, 11:07

Është prezantuar sot raporti ekonomik i Bankës Botërore për rajonin. Ekonomistja e BB për Shqipërinë, Hilda Shijaku, deklaroi se raporti parashikon ngadalësim të rimit të rritjes ekonomike në vendin tonë. Duke iu referuar raportit, ekonomistja Shijaku tha se punësimi i të rinjve dhe ai afatgjatë vijon të mbetet një problem në Shqipëri, duke shtuar se vendi ynë është i dyti në rajon për borxhin e lartë publik.

“Në Shqipëri ritmi i rritjes ekonomike është ngadalësuar. Parashikimi ynë i tanishëm është 2.9%. Presim që kontributi kryesor të vijë kryesisht nga kërkesa e brendshme. Shqipëria ka pjesëmarrje në forcën e punës më të lartë në rajon, por ka një disbalanc të lartë midis gjinive dhe papunësia e të rinjve dhe ajo afatgjatë mbetet problem.

Shqipëria është vendi i dytë me borxhin më të lartë publik. Ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe nevoja për të shlyer detyrimet e prapambetura të TVSH kanë sjellë rënie të të ardhurave të GDP. Ne presim rritje të ekonomisë në gjysmën e dytë të vitit 2019”, tha Shijaku.

Ndërkohë Pas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë edhe Banka Botërore pozicionohet kundër letrës që kryetari i PD-së Lulzim Basha u dërgoi bankave pak ditë më parë duke u kërkuar që të mos financojnë PPP-të, pasi kur të vijë në pushtet do t’i anulojë.

Përfaqësuesja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Maryam Salim e pyetur mbi këtë çështje u përgjigj duke thënë se PPP-të nuk janë një gjë e keqe dhe se u takon bankave të vendosin vetë se ku duhet të financojnë. Ajo theksoi se jo të gjithë i realizojnë projektet vetë, por kërkoi më shumë transparencë për kontratat e PPP-ve që firmosen.

“PPP nuk janë një gjë e keqe se asnjë vend nuk i përmbush të gjitha nevojat infrastrukturore vetë, çështja është si i menaxhoni, transparenca, përfitimet dhe përparësitë. Ajo ku duhet të investojnë apo jo bankat, ua lë atyre, se cdo bankë kur vendos shikon se cfarë ka kuptim për ata.

Kemi një sektor mjaft të gjallë në Shqipëri. Nuk duhet të themi që nuk duhet të ketë PPP, por ti bëjmë ato më transparente", tha ajo./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...