KLP i tërheq veshin Edi Ramës dhe Erion Braçes: Jeni paragjykues
Transmetuar më 08-10-2019, 01:50

Këshilli i Lartë i Prokurorisë duket se nuk i ka kaluar në heshtje deklaratat e zv. kryeministrit Erion Braçe dhe kryeministrit Edi Rama, të cilët akuzojnë prokurorin e Prokuorisë së Durrësit, Arjan Ndoja, se “mbështet një grup kriminal”.

KLP i bën thirrje kryeministrit Rama dhe zëvendësit të tij Braçe, që të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo Prokuror, dhe për çdo rast të shkeljeve disiplinore të denoncojnë pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të veting-ut.

KLP shprehet se deklaratat e ardhura nga përfaqësuesit e qeverisë mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni shtetëror i ngarkuar nga Kushtetuta me detyrën për të garantuar pavarësinë, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Në ushtrim të kësaj detyre, ne ndjekim me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe të prokurorëve të veçantë. Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me vëmendje deklarimet publike të drejtuesve të qeverisë në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurisë ndaj drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Këshilli vëren se deklarimet e sipërpërmendura janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon deklaruesit, si dhe çdo subjekt tjetër publik ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të veting-ut.

Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të gjithë prokurorëve të Republikës të vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë. Mënyra më e mirë për të arritur tek e vërteta është respektimi i procedurave dhe i institucioneve të ngarkuara nga ligji me dhënien e drejtësisë’”, deklaron KLP.

Ndaj prokurorit Ndoja ka patur akuza për shpërdorim detyre e presion ndaj zyrtarit të hipotekës në Durrës. Ditën e sotme kryeministri Rama hodhi akuza ndaj Ndoja-s, të cilin e ka akuzuar se “punon për organizatat kriminale dhe se u bën shantazh nëpunësve të shtetit”.  Sipas Ramës, herët apo vonë do të dalë para drejtësisë për të dhënë llogari për gjithçka ka bërë.

Edhe zv. kryeministri, Erion Braçe, ka deklaruar se prokurori i çështjes së Liridon Pulës, drejtor i Kadastrës Shtetërore në Durrës, është Arian Ndoja, “prokuror që mbështet bandat kriminale dhe u bën presion zyrtarëve.”

Liridon Pula dhe drejtuesit e Kadastrës në Durrës, sipas Braçes, janë nën presion kriminal, për shkak se Pula nuk ka pranuar të legalizojë pallate monstrueze, siç i quajti zv.kryeministri, “pavarësisht se ka qenë nën presionin e banditëve që grabisin prona në zonën bregdetare të Durrësit dhe mbështeten nga prokurorë dhe gjyqtarë.”

Loading...
Loading...