Transmetuar më 07-10-2019, 17:27

Pas qëndrimeve publike të Kryeministrit Rama dhe zëvendësit të tij, Erion Braçe, ndaj Prokurorit të Durrësit, ka reaguar Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Me anë të një njoftimi të shpërndarë për mediat, KLP nënvizon se deklarata të tilla mund të paragjykojnë ecurinë e procesit, dhe fton dy zyrtarët e lartë që akuzat e tyre t’i depozitojnë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me vëmendje deklarimet publike të drejtuesve të qeverisë në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurisë ndaj drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Këshilli vëren se deklarimet e sipërpërmendura janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon deklaruesit, si dhe çdo subjekt tjetër publik ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të veting-ut”, thuhet në reagim.

Sakaq, KLP “iu bën thirrje të gjithë prokurorëve të Republikës të vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë”.

Rama dhe Braçe akuzojnë Prokurorin e Prokurorisë së Durrësit, Arjan Ndoja se mbështet një grup kriminal, duke bërë presion ndaj zyrtarëve shtetërorë, në rastin konkret drejtorit të Kadastrës Durrës. /k.k/noa.al/