Transmetuar më 07-10-2019, 16:01

Lindon Selahi mesfushori i talentuar i Twentes i cili po bën paraqitje shumë të mira në kampionatin holandez, ishte një nga risitë e listës së trajnerit Edy Reja, bashkë me Taulant Seferin, të dy me origjinë nga Maqedonia e Veriut, për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Moldavisë.

Talenti 20-vjeçar theksoi se zgjodhi Shqipërinë pa u menduar dy herë edhe pse për të kishte interes edhe nga Belgjika.

“Mendoj se e kam merituar këtë ftesë. Që i vogël ka qenë dëshira ime që të luaj në kombëtare. Jam ende shumë i ri por shpresoj që të luaj, trajneri vendos në fund dhe mendoj se jam gati. I njoh disa futbollistë pasi Seferin e kam njohur, ashtu edhe Ramadanin. Kur kam qenë i ri kam luajtur me Belgjikën sepse nuk më ka ftuar Shqipëria, por tani që më thirri Shqipëria e vendosa. Edhe tani më ka kërkuar Belgjika, por kur e ndjen veten shqiptar, shkon 100% te Shqipëria”, theksoi Selahi.

Më pas Selahi u ndal te dy ndeshjet e radhës, ndërsa shpjegoi edhe pozicionin e tij në fushë me shpresën se trajneri Reja do t’ia japë mundësinë për të debutuar me kuqezinjtë.

Ai tha për ndeshjet e radhës, "mendoj se kemi shans për të kaluar dhe në Turqi e Moldavi shkojmë për të fituar dhe për të luajtur mirë."

" Mund të luaj kudo në mesfushë por mund të luaj më mirë si numër 8. Nuk e kam problem edhe si “6” apo “10”. Për momentin jam në sezonin parë te Tëente por jam mirë. Ëndrra ime është të luaj sa më shumë minuta dhe të luaj me kombëtaren. Ëndrra është të kualifikohemi dhe të fitojmë sa më shumë ndeshje në Europian”.

Një nga futbollistët më në formë është pikërisht Sokol Cikalleshi, i cili po luan sezonin e tij të 5-të në Turqi. Sulmuesi 29-vjeçar ka shënuar në 3 sfidat e fundit ashtu edhe me klubin e tij Akihasarspor dhe peshën e sulmit të Shqipërisë të premten në Stamboll do ta mbajë pikërisht ai.

Pas grumbullimit, Cikalleshi u shfaq optimist sot, se kuqezinjtë mund ta mposhtin Turqinë për të vazhduar ëndrrën Euro 2020.

"Turqia vjen favorite sepse luan në fushën e saj por shkojmë për të bërë lojën tonë. Ndihemi mirë dhe do ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë. Do të shkojmë në Turqi për të fituar ndeshjen edhe pse do të jetë e vështirë", tha Cikalleshi.

"E di që ëndrra për kualifikim është e vështirë dhe nëse arrijmë të fitojmë, nuk e kemi lehtë me Andorrën dhe Moldavinë. Turqia fitoi me Andorrën në minutën e 90. Jemi në rrugën e duhur, me ardhjen e Rejës gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe flas edhe në aspektin personal pasi kam arritur të shënoj. E njoh Turqinë sepse kam luajtur por nuk mund të them se do të jem pikë referimi sepse e di trajneri por nëse jam në fushë mund të them se do të jetë ndihmë për mua sepse i njoh. mbetet të shohim zgjedhjet", theksoi Sokol Cikalleshi.

Sulmuesi foli edhe për mungesën e kapitenit Elseid Hysaj.  Mbrojtësi i Napolit pësoi një dëmtim horror mbrëmjen e djeshme, në ndeshjen ndaj Torinos, dhe do të mungojë të paktën për 20 ditë, çka do të thotë se ka humbur ndeshjet e radhës, me Turqinë e Moldavinë.

"Fola pak me Hysajn por mund të mungojë. Është humbje e madhe pasi Hysaj është lojtar kryesor dhe do të jetë humbje e madhe. Edhe ndaj Islandës, bëri një nga ndeshjet më të mira duke shënuar edhe gol. Mendoj se në atë pozicion ka lojtarë të tjerë si Roshi që e bën shumë mirë dhe uroj të mos e ndjejmë mungesën", tha Cikalleshi.

Atmosfera në kampin kuqezi, pas fitores 4-2 ndaj Islandës është pozitive para sfidës së 11 Tetorit, kundër Turqisë. Kuqezinjtë kanë 9 pikë, 6 më pak se Turqia dhe Franca, që kryesojnë grupin tonë, në kualifikuese Euro 2020./NOA.al