Transmetuar më 07-10-2019, 14:47

Partia Demokratike deklaron se Kosova i dha leksion qeverisë shqiptare me zgjedhjet e 6 tetorit. Deputeti, Oerd Bylykbashi, në një dalje për mediat nga selia blu tha se zgjedhjet e të dielës provuan se vetëm vullneti politik garanton zgjedhje demokratike dhe rotacion politik paqësor.

“Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë një leksion i madh për politikën ‎shqiptare, por mbi të gjitha janë një këmbanë e fortë për qeverinë. Zgjedhjet demokratike kërkojnë vullnet politik. Kosova dha një mësim të madh se zgjedhjet bëhen demokatike, kur në vend të parë vjen interesi i zgjedhësve dhe kur qeveria ka vullnet për të zbatuar ligjin,‎ që garanton të drejtën e zgjedhësve dhe të kandidatëve që konkurojnë të lirë e pa presion.

Askush nuk ka dëgjuar zhurmë për reformë zgjedhore në Kosovë, por të gjithë pamë se si Kosova bëri zgjedhje demokratike që garantuan rotacion politik paqësor, ku fituesi angazhohet për ndryshim dhe humbësi nuk manipulon numërimin, por pranon humbjen”, u shpreh Bylykbashi.

Sipas Bylykbashit, pa u larguar pengesa e zgjedhjeve demokratike, Edi Rama, zgjedhjet e Kosovës apo çdo reformë zgjedhore e jona, do të mbeten një leksion në letër.

“Partia Demokratike është e bindur që vetëm zbatimi i plotë dhe i vërtetë i rekomandimeve të ODIHR na hap rrugën për zgjedhje demokratike dhe për këtë ka propozar një plan me pesë pika, në bazë të të cilit qendron vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme.

E vetmja pengesë në rrugën e shqiptarëve për zbatimin e rekomandimeve, si dhe garantimin e zgjedhje si gjithë Europa, është Edi Rama dhe qeveria e tij‎. Pa u larguar Edi Rama, zgjedhjet e Kosovës apo çdo reformë zgjedhore e jona, do të mbeten një leksion në letër”, tha ai./b.l/noa.al/