Transmetuar më 07-10-2019, 14:09

Kur mjeku hyri në dhomën e tij, rreth orës 18:00 të së shtunës, Aldi Cala, 24 vjeç, me origjinë shqiptare, u gjend i pajetë.

Zemra e tij besohet se kishte ndaluar së rrahuri që të premten, gjatë natës.

Shqiptari ishte kthyer atë mbrëmje në shtëpi, pasi kishte kaluar një mbrëmje me miqtë. Pastaj shkoi në shtrat. Prindërit e lanë të shtunën të pushonte në shtëpi, duke menduar se djali i tyre ishte i lodhur. Derisa vendosën ta zgjonin. Dhe u përballën me fatin tragjik: Aldi kishte vdekur.

Për momentin shkaku mbetet ende mister. Por sipas hetimeve të para, i riu mund të ketë vdekur nga shkaqe natyrore. Trupi i tij u transportua në morgun e Campo di Marte në pritje të përgjigjes diagnostikuese të kërkuar nga prokurori, i cili kërkon të dijë shkaqet e vërteta të vdekjes.

Prindërit dhe komuniteti shqiptar i Lucca, por edhe miqtë e Aldit, ndërkohë, janë në dhembje të madhe nga kjo humbje e papritur. 24-vjeçari jetonte në Pontetetto për vite të tëra së bashku me familjen e tij.

Ai gjithashtu kishte një të kaluar në fushat e futbollit, mes shumë të rinjve të Folgor Marlia. Bazuar në ato që thanë prindërit, 24-vjeçari nuk kishte përdorur kurrë drogë. Por ai ishte një djalë plot jetë,  i rrethuar vazhdimisht nga miqtë e tij. Më 19 Shkurt të vitit tjetër ai do të kishte mbushur 25 vjeç. Komuniteti shqiptar i Lucca është i tëri në zi.

Në Facebook, mesazhet e ngushëllimit nga bashkatdhetarët, dje, ishin të shumta. Sot trupi i Aldit do të mbetet akoma në morg dhe, nëse prokurori nuk kërkon autopsi, ai do t’i kthehet familjes, për ta përcjellë për në banesën e fundit./NOA.al