Transmetuar më 07-10-2019, 13:09

Aksident me pasojë vdekjen e një shqiptari është regjistruar mëngjesin e djeshëm në Itali, rreth orës 5.30. Sipas mediave italiane, viktima është një 42-vjeçar me origjinë shqiptare dhe banues në Bondeno në provincën e Ferrara.

Ai ishte kryefamiljar, bashkëshort dhe baba, e quhej Mentor Carkaxhia. Makina me të cilën ai udhëtonte, një Chevrolet me ngjyrë gri, është shkatërruar plotësisht në pjesën e përparme pasi doli nga rruga, për arsye të paqarta dhe përfundoi në një kanal.

Shqiptari, për arsye që po hetohen nga policia, është përplasur kokë më kokë me një tjetër makinë Peugeot që përfundoi përmbys në korsinë tjetër të rrugës, brenda të cilës ndodhej një burrë 41 vjeç dhe një grua 46 vjeçe, të cilët u dërguan në spital dhe ndodhen në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Ishin zjarrfikësit ata që nxorën çiftin nga makina dhe gjithashtu trupin e pajetë të 42-vjeçarit shqiptar. Në vendngjarje u desh edhe ndërhyrja e helikopterit për të transportuar të plagosurit në spital. Fatkeqësisht, për shqiptarin nuk kishte mbetur asgjë për të bërë nga bluzat e bardha sepse kishte vdekur në vend./b.l/noa.al/