Transmetuar më 07-10-2019, 12:40

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur t’i kalojë kompetencën për gjykimin e Izet Haxhisë Gjykatës së Lartë.

Pas ekstradimit nga Turqia, Izet Haxhia fitoi të drejtën e rigjykimit, pasi u dënua në mungesë. Fillimisht ishte Gjykata e Tiranës që e kaloi çështjen për moskompetencë te Krimet e Rënda, ndërsa tashmë dosja kalon në Gjykatën e Lartë për interpretim, pasi prokuroria e Krimeve të Rënda u shpreh se është pikërisht ky institucion që duhet të vendosë se ku duhet të gjykohet.

Prokurori i çështjes Besnik Muci ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për Izet Haxhinë, ndërsa ky i fundit, do të qëndrojë në burg deri sa të shprehet organi i Gjykatës së Lartë në lidhje me caktimin e kompetencës.

Tashmë Dosja ‘Haxhia’ është një nga 22 mijë dosjet e Gjykatë së Lartë që janë në pritje. Një vendim të tillë avokati i Izet Haxhisë e ka cilësuar si zvarritje të procesit.

Izet Haxhia është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e Azem Hajdarit./b.l/noa.al/